Prishtinë, 8 teotr Zhurnal.mk – Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka deklaruar se ligji për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale është hartuar në përputhje me Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
Gruda tha se, pavarësisht shqetësimeve nëse Gjykata Speciale do ta zbatojë ligjin, Kosova ka rrugë juridike dhe institucionale për ta detyruar atë, duke theksuar se për këtë nevojitet vendosmëri shtetërore dhe institucionale.
Gruda argumentoi se ligji nuk ia heq Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese në Hagë kompetencën për të shqyrtuar vendimet, urdhrat dhe aktgjykimet e Speciales, por i kufizon kompetencat e saj për kontrollin e kushtetutshmërisë së vetë ligjit.
Sipas tij, në bazë të Amendamentit 24 dhe nenit 162 të Kushtetutës, kontrolli i kushtetutshmërisë së ligjit të ri duhet të bëhet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në Prishtinë. Gruda tha se ky ligj duhet të mbrohet “juridikisht, institucionalisht dhe publikisht”.
Postimi i plotë:
Ligji për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale është shkruar në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk e shkel Kushtetutën dhe nuk i shkel detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
Është ngritur me të drejtë një shqetësim: a do ta zbatojë Gjykata Speciale këtë ligj?
Gjykata Speciale deri më sot ka treguar se është e gatshme ta interpretojë ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës sipas mënyrës së vet. Prandaj, pres që të bëjë obstruksione edhe ndaj zbatimit të këtij ligji.
Por pyetja është: a mundemi ne, si shtet i Kosovës, ta detyrojmë që ta zbatojë?
Po. Absolutisht po.
Jam i bindur se do ta gjejmë rrugën juridike dhe institucionale për ta detyruar Gjykatën Speciale ta zbatojë ligjin e Republikës së Kosovës. Për këtë do të na duhet vendosmëri si shtet, si institucione dhe si shoqëri. Dhe do t’ia arrijmë.
Ky ligj mund ta sjellë shtetin e Kosovës në një përplasje juridike dhe institucionale me Gjykatën Speciale. Nëse kjo ndodh, Kosova duhet të qëndrojë fuqishëm prapa ligjit të vet. Jam i bindur se në fund Gjykata Speciale do të duhet ta zbatojë atë.
Tani t’i kthehemi argumentit juridik.
A është shkruar ligji siç duhet? Po.
A e pengon ligji Dhomën Kushtetuese në Hagë që ta rrëzojë këtë ligj? Po.
A e shkel kjo Kushtetutën? Jo.
Sepse këtë e thotë vetë Amendamenti nr. 24 i Kushtetutës.
Neni 162, paragrafi 1, përcakton se “organizimi, funksionimi dhe juridiksioni i Dhomave të specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të specializuar rregullohen me këtë nen dhe me ligj të veçantë.”
Ndërsa paragrafi 3 përcakton se Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese vendos mbi referimet kushtetuese që lidhen me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar “në përputhje me ligjin e veçantë”.
Këto janë fjalët kyçe: “në përputhje me ligjin e veçantë”.
Pra, vetë Kushtetuta ia lidh juridiksionin kësaj Dhome me ligjin e veçantë.
Dhe çfarë kemi bërë ne?
Nuk e kemi ndryshuar Kushtetutën. Kemi ndryshuar ligjin, pikërisht aty ku Kushtetuta përcakton se çështja rregullohet dhe specifikohet me ligj.
Neni 23 tashmë e përcakton qartë se Dhoma e Specializuar Kushtetuese vendos “ekskluzivisht dhe vetëm” për referimet që kontestojnë vendimet, urdhrat ose aktgjykimet e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Pra, nuk ia kemi hequr Dhomës Kushtetuese funksionin e saj. Ajo vazhdon të kontrollojë vendimet, urdhrat dhe aktgjykimet e institucioneve të Speciales.
Por ligji vendos një kufi të qartë: “Dhoma e Specializuar Kushtetuese nuk ka juridiksion për kontrollin abstrakt, konkret, incidental dhe asnjë formë tjetër të kushtetutshmërisë së këtij ligji dhe Ligjit Nr. 05/L-053.”
Dhe për të mos lënë asnjë dilemë, paragrafi 2 i nenit 23 përcakton:
“Kontrollin e kushtetutshmërisë së këtij ligji dhe Ligjit Nr. 05/L-053 mund ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në përbërjen e saj të rregullt në Prishtinë.”
Ndërsa paragrafi 3 e thotë edhe më shprehimisht:
“Asnjë palë e autorizuar nga neni 113 dhe Amendamenti 24 i Kushtetutës nuk mund të kërkojë kontrollin e kushtetutshmërisë së këtij ligji në Dhomën Kushtetuese në Hagë, por vetëm në Gjykatën Kushtetuese në Prishtinë.”
Pra, argumenti është shumë i thjeshtë:
Kushtetuta thotë se juridiksioni ushtrohet “në përputhje me ligjin e veçantë”, ndërsa ligji i veçantë përcakton se çfarë kontrollon Dhoma Kushtetuese në Hagë dhe çfarë kontrollon Gjykata Kushtetuese në Prishtinë.
Kjo është arsyeja pse nuk kemi ndryshuar Kushtetutën me ligj. Kemi specifikuar me ligj juridiksionin, pikërisht sepse vetë Kushtetuta përcakton që ai rregullohet edhe me ligjin e veçantë.
Një vendim, urdhër apo aktgjykim i Dhomave të Specializuara vazhdon t’i nënshtrohet kontrollit të Dhomës Kushtetuese atje. Por kontrollin e kushtetutshmërisë së këtij ligji të Kuvendit të Republikës së Kosovës, sipas nenit 23, e ushtron Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në Prishtinë.
Ky është dallimi thelbësor.
Prandaj, ky ligj duhet të mbrohet juridikisht, institucionalisht dhe publikisht.
Këtu do të jemi. Do ta mbrojmë dhe do t’i shohim efektet e tij.
