Prishtinë, 15 shtator, Zhurnal.mk – Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar se PDK-ja nuk është pjesë e negociatave lidhur me kandidaturën për president dhe se procesi për propozimin e një kandidati nga kjo parti tashmë është mbyllur, raporton Ekonomia Online.
Duke komentuar tërheqjen e kandidaturës së Bekim Sejdiut, Gruda tha se PDK-ja që nga fillimi ka qenë e bindur se kryeministri Albin Kurti nuk e ka pasur qëllim zgjedhjen e Sejdiut president, por, sipas tij, krijimin e një momentumi të ri politik.
“Ajo kandidaturë nuk ka dalë si proces i negocimit ku PDK-ja ka qenë palë. S’kam shumë për me thënë përveçse ne kemi qenë të bindur nga fillimi që zoti Kurti nuk e ka pasur ndërmend të zgjedhë president zotin Sejdiu, por vetëm të krijojë një momentum të ri politik për një lojë të radhës politike”, ka thënë ai.
Ai foli edhe për takimin mes deputeti të PDK-së, Rrustem Mustafa dhe Albin Kurtit, duke theksuar se qëndrimi i Mustafës është personal dhe nuk përfaqëson qëndrimin e PDK-së.
“Zoti Mustafa e ka një qëndrim personal që ju e dini, edhe ai është qëndrim i tij personal. Partia Demokratike e Kosovës nuk ka më dialog me Lëvizjen Vetëvendosje. Qëndrimet e PDK-së dihen, janë të qarta, janë thënë edhe nga kryetari i partisë, edhe nga kryesia e Partisë Demokratike”, ka shtuar Gruda.
I pyetur nëse PDK-ja do të propozojë një kandidat për president pas thirrjeve të Kurtit për marrëveshje mes subjekteve politike, Gruda ishte i prerë se procesi i kësaj partie tashmë është mbyllur.
“Është mbyllur ai proces. Dihet që është mbyllur”, tha ai.
“Ne kemi shkuar në dialog për rpesident edhe para zgjedhjeve të 7 qershorit, edhe pas zgjedhjeve të 7 qershorit, nuk kemi arritur marërveshje për një arsye të thejshtë, Zotëri Kurti i don të gjitha pushtetet, e ne nuk mund t’ia lejojmë të gjitha pushtetet një njeriu, prandaj s’kemi të vazhdojmë një dialog i cili është i dizajnuar për të dështuar”, ka thënë ndër të tjera Gruda.
