Hakerë nga Koreja e Veriut dyshohet se qëndrojnë pas vjedhjes më të madhe të kriptovalutave në histori, gjatë së cilës nga Binance, platforma më e madhe në botë për këmbimin e kriptovalutave, u vodhën plot 6.3 miliardë dollarë.
Pjesa më e madhe e shumës së vjedhur u zhduk brenda vetëm 20 minutash. Ndërkohë, gjetjet e reja të ekspertëve të sigurisë kibernetike drejtojnë dyshimet drejt grupit të hakerëve TraderTraitor, i cili lidhet me regjimin e Koresë së Veriut, raporton Reuters.
Kompania amerikane për analizën e të dhënave të blockchain-it, TRM Labs, bën të ditur se, me një shkallë të lartë sigurie, sulmin ia atribuon pikërisht këtij grupi. Në përfundime të ngjashme ka arritur edhe kompania Chainalysis, ndërsa Elliptic ka identifikuar lidhje me vjedhje të mëparshme, për të cilat gjithashtu dyshohen hakerë nga Koreja e Veriut.
Edhe pse autoritetet amerikane dhe platforma Binance ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht identitetin e autorëve të sulmit, analizat e disa kompanive të pavarura të sigurisë kibernetike tregojnë drejt të njëjtit grup hakerësh nga Koreja e Veriut.
Grupi TraderTraitor është lidhur edhe më parë me disa prej vjedhjeve më të mëdha të kriptovalutave në botë. Mes tyre është edhe sulmi ndaj platformës së këmbimit Bybit, në vitin 2025, gjatë të cilit u vodhën rreth 1.5 miliardë dollarë.
Dyshimet për përfshirjen e këtij grupi e rikthejnë në vëmendje aktivitetin e grupeve të organizuara të hakerëve, të cilat shënjestrojnë platformat ndërkombëtare të kriptovalutave dhe shkaktojnë humbje të mëdha financiare.
