BE dhe Kanada dakordohen për një afat kohor për anëtarësimin e asociuar në BE

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Otava, 30 tetor Zhurnal.mk – Kanadaja ka pranuar ofertën e Bashkimit Evropian për anëtarësim të asociuar. Pas një samiti dyditor, Brukseli dhe Otava kanë caktuar afatin deri në qershor të vitit të ardhshëm për përcaktimin e hollësive të kësaj forme të re të marrëdhënieve. Kryeministri kanadez, Mark Carney, mbështeti propozimin e paraqitur nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pavarësisht hezitimeve që zgjatën disa javë, reagimit të ashpër të presidentit amerikan Donald Trump dhe kundërshtimeve nga Gjermania, raporton “Politico”.

“Gjatë muajve të ardhshëm do të përcaktojmë përmbajtjen, shtrirjen dhe fushëveprimin e saktë të kësaj forme të re të anëtarësimit”, deklaroi Carney në konferencën për media pas përfundimit të samitit në Montreal. “Sot po ecim drejt anëtarësimit të asociuar të Kanadasë”, shtoi ai, duke e përshkruar këtë status si “partneritetin më të thellë të mundshëm, menjëherë nën anëtarësimin e plotë”.

Të dyja palët kanë caktuar qershorin e vitit 2027 si afat përfundimtar për përcaktimin e kushteve dhe kornizës së partneritetit, përfshirë edhe planin e financimit. Carney shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë në pyetjen se sa do t’u kushtojë anëtarësimi i asociuar taksapaguesve kanadezë.

“Ne personalisht nuk e shohim këtë si pagesë”, tha Carney, duke theksuar se bëhet fjalë për një projekt “pozitiv”.

Von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, të cilët qëndronin pranë Carneyt, e paraqitën këtë nismë si një strategji të domosdoshme në një mjedis global gjithnjë e më të pasigurt.

“Koncepti i anëtarit të asociuar është një territor i panjohur, por ne kemi ambicie, besim dhe kreativitet për ta ndërtuar së bashku”, deklaroi Von der Leyen. “Për të qenë plotësisht të qartë, ky nuk është partneritet kundër askujt, por për fuqinë tonë të përbashkët”.

Përfaqësues të qeverisë kanadeze konfirmuan pas konferencës se nuk do të nevojitet legjislacion i ri për formalizimin e statusit të anëtarit të asociuar.

“Marrëdhënia jonë është aq e veçantë, saqë dëshirojmë të krijojmë diçka të re – të shkojmë një hap përtej bashkëpunimit të zakonshëm, deri në kufirin e anëtarësimit të plotë në BE”, tha Costa.

Ai propozoi një model të ri për integrimin më të ngushtë të vendeve joevropiane me Unionin dhe shtoi: “Partneriteti ynë do të jetë më i afërti, më i thelli dhe më unik i këtij lloji”.

Pavarësisht optimizmit, disa mosmarrëveshje tregtare të kahershme mbetën të pazgjidhura edhe pas samitit. Carney deklaroi se ishte arritur marrëveshje për përjashtime nga një rregullore kyçe e BE-së, e cila synon luftimin e shpyllëzimit, por më vonë përfaqësuesit kanadezë e tërhoqën këtë deklaratë.

Një zyrtar, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së negociatave, tha se kjo çështje vazhdon të jetë pjesë e bisedimeve tregtare. Ai theksoi se po shënohet përparim në zgjidhjen e asaj që Kanadaja i konsideron mangësi të rregullores.

Gjithashtu, e paqartë mbetet nëse Kanadaja do të përfitojë statusin “Prodhuar në Evropë” (Made in Europe) në kuadër të Ligjit për Përshpejtimin Industrial (Industrial Accelerator Act). Përmes kësaj mase të rëndësishme, BE-ja synon që prokurimet publike, në sektorë që përfshijnë energjinë e gjelbër dhe industrinë e automobilave, t’u japin përparësi produkteve të prodhuara brenda Unionit.

Von der Leyen shpjegoi se në draft-rregulloren e paraqitur më herët gjatë këtij viti, Komisioni e ka përfshirë Kanadanë si partnere të tregtisë së lirë. Ajo shtoi se propozimi tani duhet të shqyrtohet nga deputetët e Parlamentit Evropian dhe qeveritë e vendeve anëtare.

“Komisioni ka propozuar që Ligji për Përshpejtimin Industrial të përfshijë të gjitha vendet me të cilat kemi marrëveshje për tregti të lirë. Rrjedhimisht, Kanadaja do të përfshihej automatikisht”, tha ajo. “Natyrisht, propozimi tani duhet të kalojë nëpër procedurën legjislative, por qëndrimi ynë për përfshirjen e Kanadasë është plotësisht i qartë”.

Pavarësisht përgatitjeve që zgjatën disa muaj, organizimi i samitit u karakterizua nga kaos. Hollësitë e programit u konfirmuan vetëm në momentin e fundit, ndërsa takimet dypalëshe u zhvilluan në dy lokacione të ndryshme. Qëllimi i këtyre aranzhimeve joformale ishte mundësimi i kontakteve më të drejtpërdrejta ndërmjet komisionerëve evropianë dhe ministrave kanadezë, të cilët në të ardhmen pritet të takohen shumë më shpesh.

Ministrat kanadezë janë ftuar në një sërë takimesh me homologët e tyre nga BE-ja, si pjesë e planit për forcimin e harmonizimit politik. Pjesëmarrja e ministres së Jashtme, Anita Anand, dhe ministrit të Tregtisë Ndërkombëtare, Maninder Sidhu, në takimet e fundit joformale të BE-së shërbeu si një test për këtë model bashkëpunimi.

Pas dy javësh, kryeministri Carney do të udhëtojë drejt Dublinit, ku, me ftesë të Antonio Costas, do të marrë pjesë në një takim joformal të Këshillit Evropian.

https://www.vecer.press/eu-i-kanada-se-dogovorija-za-vremenska-ramka-za-pridruzhno-chlenstvo/

artikuj të ndërlidhura