Hamza pret ambasadorin Rudolph: Askush s’mund ta vendosë vullnetin politik mbi Kushtetutën

Nga D V
511 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 1 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në vend, krizën institucionale dhe sfidat me të cilat po përballet Kosova.

Në takim u diskutua për nevojën e konstituimit të Kuvendit sa më parë, respektimin e rendit kushtetues dhe sundimin e ligjit, si dhe për zhvillimin ekonomik dhe avancimin e proceseve integruese të Kosovës.

Kryetari Hamza theksoi se funksionimi i shtetit dhe respektimi i Kushtetutës nuk mund të jenë çështje të vullnetit politik të një partie apo të një individi, por janë detyrim institucional dhe themel i demokracisë. Ai ndau me ambasadorin gjerman shqetësimin për precedentin e krijuar me refuzimin e partisë që ka dalë e para në zgjedhje për të vepruar në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Kryetari Hamza rikonfirmoi vendosmërinë e PDK-së për të përdorur të gjitha mjetet demokratike dhe institucionale në mbrojtje të Kushtetutës, institucioneve të Republikës dhe interesit të qytetarëve.

Ai theksoi se PDK-ja mbetet e përkushtuar për ndërtimin e një Kosove demokratike, funksionale dhe ekonomikisht të zhvilluar, të integruar në strukturat euroatlantike dhe të lidhur ngushtë me aleatët e saj strategjikë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër