Hartimi i Kodit të ri Zgjedhor, politikanët shqiptarë t’i hapin sytë “t’i bëjnë katër” – një gabim, do të na kushton shumë!

nga Redaksia

Shkup, 3 shkurt – Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare thuajse mbahet vazhdimisht si temë active në opinion. Herë kur ju konvenon disa partive theksojnë se do ketë zgjedhje të parakohshme në vjeshtë, e herë nuk do të ketë. Vulen e kësaj çështje, publikisht e tha kryeministri Mickovski, i cili tha se përkundër faktit që partisë së tij i konvenojnë zgjedhjet e parakohshme, megjithatë një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Ajo që do të ndodhë është shkuarja në zgjedhje të rregullta dhe mbajtjet e premtimeve ndaj qytetarëve.
Por, ajo që pritet të ndodhë së shpejti është të hapet Ligji për Zgjedhjet, ose i njohur si Kodi i ri Zgjedhor.

Procesi i Kodit Zgjedhor ka hyrë në një fazë operative dhe se grupi i punës duhet të fillojë me dinamikë konkrete, me qëllim që të zhvillohet një zgjidhje që do të jetë e pranueshme për një spektër më të gjerë politik. Në këtë kontekst, Ministria e Drejtësisë pritet të caktojë takimin e parë të grupit të sapoformuar të punës, pasi Kuvendi tashmë ka dërguar një letër me përfaqësuesit e nominuar nga partitë parlamentare dhe deputetët e pavarur, shkruan “Zhurnal.mk”.

Qëllimi i planifikuar, sipas njoftimeve rreth procesit, është që zgjidhja e re ligjore të jetë gati deri në qershor. Megjithatë ende nuk dihet nëse do të vazhdojnë me ndryshimin e Kodit Zgjedhor ekzistues apo me një tekst krejtësisht të ri, varësisht se sa do të ndryshohet çështja.

Paralelisht me rregullat zgjedhore, partitë politike e kanë hapur si temë edhe heqjen e të ashtuquajturës qeveri teknike para zgjedhjeve. Qeveria ka njoftuar se edhe pse një veprim i tillë, mundet lë ragohet ligjërisht me një shumicë të thjeshtë prej 61 deputetësh, do të ishte më i qëndrueshëm politikisht nëse do të bëhej me një konsensus midis të gjitha partive përkatëse, duke marrë parasysh se modeli është i lidhur me marrëveshjen politike të vitit 2015 dhe idenë e besimit më të madh në procesin zgjedhor.

Por, çdoherë kur hapet çështja e Kodit Zgjedhor menjëherë aktivizohen dy linja presioni mbi institucionet. Nga njëra anë, nevoja për të sistemuar rregullat zgjedhore në kohën e duhur dhe pa një zgjidhje ad-hoc në një vit zgjedhor, dhe nga ana tjetër, hapja e debatit nëse shteti do të vazhdojë me modelin e një qeverie teknike apo do të kalojë në një cikël të rregullt zgjedhor pa marrëveshjen e “Përzhinos”. Në mesin e këtij debati është pritja që Qeveria do të “dorëzojë” propozime kyçe legjislative në Parlament, në mënyrë që të mos përsëritet një skenar ngërçi dhe vonesash të minutës së fundit.

Sipas rregullave aktuale, Kodi Zgjedhor duhet të hyjë në fuqi të paktën gjashtë muaj para zgjedhjeve, në mënyrë që institucionet të mund të përgatiten për zbatimin e tij pa probleme ose vështirësi që rrjedhin nga ndryshimet. Raportet e OSBE/ODIHR-it kanë theksuar vazhdimisht se mbeten disa çështje në kuadrin ligjor zgjedhor që duhen zgjidhur. Kodi Zgjedhor duhet të rishikohet gjerësisht për ta harmonizuar atë me kuadrin legjislativ dhe ligjet e tjera përkatëse, në përputhje me objektivat e OSBE-së, detyrimet ndërkombëtare dhe praktikat e mira.

Një problem i veçantë është edhe ndarja e pabarabartë e njësive zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, e cila rrezikon të dëmtojë partitë shqiptare, të cilat konsiderojnë se mund të kenë deri në dy deputetë më pak. Sipas ligjit që është në fuqi, parashikohet që njësitë zgjedhore të kenë diferencë deri në 5% te votuesve, çka sipas deputeteve shqiptarë, rrit pabarazinë e votës në Maqedoninë e Veriut.

Qytetarët kanë kërkuar prej kohësh ndryshime specifike siç janë opsionet për një zonë të vetme zgjedhore, një ulje të numrit të deputetëve, rregulla të qarta për subvencionimin shtetëror të fushatës zgjedhore dhe të ngjashme.

Deri më tani, shumica e partive politike kanë shprehur mbështetjen e tyre për një njësi të vetme zgjedhore dhe lista të hapura. Propozimet për tre ose tetë njësi zgjedhore kanë ardhur nga partitë shqiptare në opozitë. Çështjet në lidhje me pragun minimal për hyrje në parlament, financimin e partive dhe përfaqësimin në media janë gjithashtu tepër të rëndësishme, shkruan “Zhurnal.mk”.

Partitë shqiptare, pavarësisht nëse janë në opozitë apo në pushtet, duhet t’i bëjnë mirë të gjitha matematikat, a është e lëvërdishme të ndryshohet Kodi Zgjedhor, a është më mirë të ketë vetëm një Njësi Zgjedhore dhe cila formë është më e pranueshme dhe më e drejtë për përfaqësimin e shqiptarëve në Kuvend.

Duhet të dihet një gjë, shqiptarët duhet të përfaqësohen me përqindje të deputetëve minimum aq sa përqind e tyre jëtojnë në Maqedoninë e Veriut. Zgjedhjet e fundit, dhe mungesa e arritjes së censusit të daljes së zgjedhjeve në Gostivar dhe Vrapçisht, duhet të jetë një alarm shumë i madh, pasi duket se shumica e qytetarëve kanë ikur jashtë, dhe pak prej tyre janë të interesuar për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut.

Gjithashtu duhet të mendohet edhe për votimin e diasporës, pork jo duhet të thjeshtëzohet dhe të gjindet një formë edhe më e lehtë për qytetarët që jetojnë jashtë, por edhe më pak e kushtueshme për vetë shtetin.

Shumë me rëndësi është që partitë shqiptarë në të ardhmen të kenë përfaqësuesit e tyre si anëtarë të këshillave zgjedhore në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut. Praktikisht, shqiptarët nuk kanë aspak kontroll se çfarë ndodhë në zonën zgjedhore numëqr 3 dhe 4. Atje mund të mbushen kutitë, numri i votuesve është shumë i lartë dhe kjo në përgjithësi e rrit nivelin e votuesve që dalin në zgjedhje. E në fakt, realiteti është ndryshe, sepse duket se pjesa lindore e shtetit është kryesisht e zbrazur.

Anadaj, tani u takon partive shqiptare të vendosin nëse do të bëjnë vetëm ndryshime kozmetike për të mbyllur sytë, ngjashëm siç është bërë në të kaluarën, apo se rregullat e reja zgjedhore do t’u sjellin përsëri dobi vetëm partive më të mëdha politike, shkruan “Zhurnal.mk”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More