Haxhiu: Kosovës duhet t’i hapet rruga për negociatat e anëtarësimit në BE

Nga D. V.
1,187 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 07 korrik, Zhurnal.mk – Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim raportuesin e përhershëm të Parlamentit Evropian për Kosovën, eurodeputetin Riho Terras, me të cilin diskutoi për perspektivën evropiane të vendit.

Haxhiu tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk duhet të përballet me vonesa të mëtejshme.

“Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të trajtohet pa vonesa të mëtejshme dhe përparimi i vendit duhet të vlerësohet mbi bazën e meritave”, theksoi ajo.

Sipas saj, Kosova nuk kërkon trajtim të privilegjuar, por një proces të drejtë.

“Kosova nuk kërkon përjashtim nga kriteret, por një proces të drejtë, i cili do t’i hapte rrugën marrjes së statusit të vendit kandidat dhe fillimit të negociatave për anëtarësim”, u shpreh Haxhiu.

Ajo paraqiti edhe progresin e Kosovës në reformat evropiane, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, duke nënvizuar se orientimi euroatlantik i vendit mbetet i palëkundur.

“Orientimi euroatlantik i Kosovës është i qartë, i qëndrueshëm dhe gëzon mbështetje të gjerë qytetare”, tha ushtruesja e detyrës së Presidentes.

Në takim u diskutua edhe për dialogun me Serbinë, çështjet e sigurisë dhe mungesën e përgjegjësisë për sulmin terrorist në Banjskë.

“Procesi evropian duhet të mbështetet në zbatimin e marrëveshjeve dhe në përgjegjësi të barabartë për të gjitha palët”, theksoi Haxhiu.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër