Prishtinë, 2 shtator Zhurnal.mk – Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka liruar nga detyra 18 gjyqtarë nga komuniteti serb të dorëhequr në vitin 2022 nga institucionet kosovare të drejtësisë.
Haxhiu bëri të ditur nëpërmjet rrjeteve sociale se vendimin e mori pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).
“Pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, sot kam liruar nga detyra 18 gjyqtarë serbë, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022”, ka shkruar Haxhiu.
Më 27 gusht, Këshilli Gjyqësor i Kosovës refuzoi kërkesën e gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqje të dorëheqjeve nga sistemi gjyqësor në vitin 2022, duke i propozuar Haxhiut lirimin nga detyra të këtyre gjyqtarëve.
Pas vendimit të KGJK-së pati reaguar edhe Bashkimi Evropian që shprehu “keqardhje të thellë”, duke kërkuar që çështja e riintegrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të dorëhequr serbë të zgjidhet në kuadër të dialogut.
Rreth 130 gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë të sistemit të drejtësisë kishin dhënë dorëheqje në fund të nëntorit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në katër komunat në veri të vendit, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.
