Probishtip, 27 mars – Në territorin e Komunës së Probishtipit është evidentuar helmimi i kafshëve endacake dhe i kafshëve shtëpiake. Kryetari i komunës, Toni Tonevski, e ka dënuar këtë ngjarje dhe ka bërë të ditur se rasti është paraqitur në stacionin policor.
“Si institucion, i kemi thirrur qytetarët e dëmtuar për bisedë. I kemi informuar përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe procedura, përkatësisht hetimi, është në zhvillim për të gjetur autorin e panjohur. Apeloj te të gjithë që të përmbahen nga çfarëdo incidenti, pasi si komunë kemi plan për zgjidhjen e problemeve me qentë endacakë”, deklaroi Tonevski.
Ai theksoi se problemi me kafshët endacake do të zgjidhet në nivel rajonal, pasi Këshilli i kryetarëve të Rajonit Lindor tashmë ka aplikuar për mjete financiare për ndërtimin e një stacionari rajonal, ku do të strehohen kafshët pa pronar.
Ndërkohë, Komuna e Probishtipit këtë vit për herë të parë ofron subvencione për sterilizimin e kafshëve shtëpiake.
