Prishtinë, 19 maj, Zhurnal.mk – Ministri i Punës, Andin Hoti theksoi sot se platforma ePunësimi do të transformojë mënyrën se si qytetarët kërkojnë punë, bizneset gjejnë punëtorë dhe institucionet ofrojnë shërbime.
Në kuadër të punëtorisë “Përmirësimi i Shërbimeve të Punësimit në Kosovë përmes Platformës Digjitale dhe proceseve të bazuara në evidenca”, u prezantua progresi i arritur në zhvillimin e platformës së re digjitale ePunësimi, e cila synon modernizimin dhe digjitalizimin e shërbimeve të punësimit në Republikën e Kosovës.
Në njoftimin e Ministrisë thuhet se përmes platformës ePunësimi:
- Punëkërkuesit do të mund të aplikojnë online, të ndërtojnë profile profesionale dhe të marrin mbështetje për zhvillimin e karrierës;
- Punëdhënësit do të kenë qasje më të shpejtë dhe më efikase në menaxhimin e vendeve të lira të punës dhe identifikimin e kandidatëve adekuatë;
- Institucionet do të kenë një sistem të integruar dhe modern për ofrimin e shërbimeve publike.
“Një nga elementet kryesore të platformës është integrimi me institucionet relevante shtetërore, përfshirë Agjencinë e Regjistrit Civil, ATK-në, ARBK-në, Thesarin, eKosova dhe sisteme të tjera relevante, duke mundësuar automatizim të proceseve dhe rritje të besueshmërisë së të dhënave”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, integrimi i platformave ekzistuese si SIMP, Superpuna, KGenU dhe ueb-faqes së APRK-së në një sistem unik digjital do të krijojë një qasje të centralizuar dhe më funksionale për qytetarët, bizneset dhe institucionet.
