Tiranë, 03 korrik, Zhurnal.mk – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha mori pjesë sot në eventin e Edicionit të Tretë të Javës së Administratës Publike, me fokus Shërbimin Publik për një Shqipëri Europiane.
Gjatë fjalës së tij, Hoxha theksoi se administrata publike shqiptare po kalon një proces të thellë transformimi në kuadër të afrimit me Bashkimin Evropian.
Ministri tha se një shtet është aq i fortë sa është edhe administrata e tij, duke nënvizuar rëndësinë e një shërbimi civil profesional, me integritet dhe të qëndrueshëm.
Sipas tij, Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në modernizimin e administratës publike, duke ndërtuar një sistem gjithnjë e më të bazuar në meritë dhe përgjegjshmëri, por procesi i reformimit mbetet i vazhdueshëm dhe bëhet më kërkues në fazën e negociatave me Bashkimin Evropian.
“Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në modernizimin e administratës publike, duke ndërtuar një sistem gjithnjë e më të bazuar në meritë, profesionalizëm dhe përgjegjshmëri. Megjithatë, ky nuk është një proces me një pikë mbërritjeje. Përkundrazi, ai bëhet edhe më kërkues ndërsa avancojmë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Anëtarësimi në BE është proces që ndërtohet hap pas hapi, përmes vullnetit politik, përmes institucioneve të forta, por edhe praktikave të mira administrative dhe, mbi të gjitha, përmes njerëzve që punojnë çdo ditë në shërbim të qytetarëve. Prandaj, sot mund të themi me bindje se administrata publike shqiptare është në një proces të thellë transformimi evropian”, tha Hoxha.
Hoxha u shpreh se në kuadër të këtij procesi është krijuar një brez i ri nëpunësish publikë me ekspertizë mbi çështjet e integrimit dhe koordinimit ndërinstitucional, të cilin e cilësoi si një nga asetet më të rëndësishme të shtetit shqiptar.
“Gjatë procesit të negociatave është krijuar një brez i ri nëpunësish publikë me ekspertizë të specializuar mbi acquis communautaire, metodologjinë e zgjerimit dhe koordinimin ndërinstitucional. Ky kapital njerëzor përfaqëson sot me një nga asetet më të çmuara të shtetit shqiptar. Shqiptarët kanë arsye të jenë krenarë për skuadrën e tyre evropiane, për ekipin negociator dhe për administratën që ka dëshmuar se zotëron jo vetëm kapacitetet profesionale, por edhe besueshmërinë për të çuar përpara një proces kaq kompleks dhe vendimtar për të ardhmen e vendit”, tha Hoxha.
Ai theksoi gjithashtu se afrimi me BE-në kërkon një administratë që funksionon me standarde të një shteti anëtar, me më shumë profesionalizëm, përgjegjësi dhe bashkëpunim institucional, si dhe me sisteme të reja vlerësimi të bazuara në performancë.
Sipas ministrit, ky transformim nuk lidhet vetëm me momentin e anëtarësimit, por me ndërtimin e një administrate moderne që funksionon sipas standardeve evropiane dhe u shërben më mirë qytetarëve.
“Kjo kërkon edhe një evolucion të vazhdueshëm të mënyrës se si funksionon administrata jonë: metoda pune më bashkëpunuese dhe më ndërvepruese, institucione që ndajnë ekspertizën dhe përgjegjësinë, si dhe një sistem rekrutimi dhe zhvillimi në karrierë gjithnjë e më të bazuar në meritë. Vlerësimi i performancës duhet të mbështetet në kritere objektive dhe të matshme, ndërsa puna dhe përkushtimi i nëpunësve publikë duhet të marrin edhe vlerësimin dhe mirënjohjen që meritojnë nga shoqëria.
“Një administratë moderne nuk ndërtohet vetëm për ditën e anëtarësimit. Ajo ndërtohet që sot, me standardet, kulturën dhe përgjegjësinë e një vendi që e sheh veten jo vetëm në prag të Bashkimit Evropian, por tashmë pjesë të hapësirës së tij institucionale dhe të vlerave që ai përfaqëson. Në këtë kuadër, edhe shërbimi konsullor, si pjesë integrale e shërbimit publik, do të vazhdojë të transformohet, të përmirësohet, në përputhje me standardet më të mira evropiane, për të garantuar në çdo kohë shërbime më cilësore, më të shpejta, më efikase dhe sa më pranë qytetarëve. Njëkohësisht, ai do të forcojë më tej përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit”, tha ai.
