Hoxha- Rigoler: Franca, partner i rëndësishëm në reformat mjedisore dhe integrimin në BE

Nga B.M
420 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 janar – Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot zhvilloi një takim me ambasadorin e Republikës së Francës Kristof Le Rigoler, në të cilin, siç informojnë nga Ministria  është biseduar për avancimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mjedisit jetësor dhe mbështetjen e procesit të integrimit evropian.

 “Në takim, ministri Hoxha shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i jep vendit, veçanërisht në zbatimin e reformave dhe shfrytëzimin e fondeve IPA. Ai theksoi se prioritet i Ministrisë është krijimi i një sistemi të qëndrueshëm për menaxhimin e mbetjeve të ngurta dhe përmirësimi i ndjeshëm i infrastrukturës për trajtimin e ujërave të ndotura, në kuadër të zbatimit të Programeve Operative Sektoriale për Mjedisin Jetësor dhe Veprimin Klimatik përmes IPA II dhe IPA III”, bëri të ditur MMJPH. 

Theks i veçantë iu kushtua rolit të Agjencisë Franceze për Zhvillim dhe projektit rajonal për drejtësi mjedisore, të cilët kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve institucionale, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe sundimit të ligjit në fushën e mjedisit jetësor.

Të dyja palët, theksohet në komunikatë,  konfirmuan përkushtimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Francës, në frymën e vlerave evropiane, zhvillimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër