Humolli: Nuk ka gjykatë e as vendim që do ta ndryshojë mënyrën se si rinia i sheh çlirimtarët

Nga D V
23 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 21 shtator, Zhurnal.mk – Studenti Donart Humolli, gjatë marshit të studentëve të Universitetit të Prishtinës kundër vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se rinia e Kosovës nuk pranon atë që e konsideron gjykim të padrejtë ndaj atyre që, sipas tij, mundësuan lirinë e vendit, raporton Ekonomia Online.

Humolli ka deklaruar se nuk ka gjykatë apo vendim që do ta ndryshojë mënyrën se si rinia e Kosovës i sheh çlirimtarët, duke theksuar edhe rëndësinë e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë në çlirimin e Kosovës.

“E kuptojmë se jemi fatlumë që bëjmë pjesë ndër brezat e parë të këtij kombi që e shijoi lirinë, pa e përjetuar tmerrin e luftës. Por po ashtu, e kuptojmë qartë se kjo liri nuk do të ishte e mundur pa sakrificën e ushtrisë çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

“Por nuk do të ishte e mundur as pa mbështetjen e aleatëve tanë ndërkombëtarë, me theks të veçantë shteteve të Bashkuara të Amerikës, sot, studentët dhe rinia e Kosovës qëndrojnë të bashkuar me besimin e patundur tek Perëndimi. Ashtu siç Perëndimi nuk e lejoi padrejtësinë në vitet ’98 dhe ’99, por u bë aleat i UÇK-së, për të sjellë lirinë, ashtu besojmë se do të mbetet aleat edhe sot, duke mos lejuar asnjë padrejtësi ndaj vetë aleatit të tij, luftëtarëve të UÇK-së”, tha ai.

Ai ka thënë se rinia e Kosovës sot jeton në një shtet të pavarur, demokratik dhe multietnik, duke theksuar se përvoja e popullit të Kosovës me shtypjen dhe padrejtësinë, sipas tij, e bën të papranueshëm një trajtim të tillë ndaj të tjerëve.

“Rinia e Kosovës sot jeton e lirë në një shtet të pavarur, demokratik dhe multietnik. Duke respektuar e mbrojtur të gjitha minoritetet në Kosovë, një popull që ka qenë i shtypur për vite me radhë e di mirë se çfarë do të thotë ta përjetosh padrejtësinë, prandaj nuk ia dëshirojmë atë askujt, prandaj nuk pranojmë asnjë gjykim të padrejtë apo dënues ndaj atyre që na e mundësuan këtë liri. Përmes këtij mesazhi, dua t’ju drejtohem si atyre që sot ndodhen padrejtësisht në Hagë ashtu edhe të gjithë botës demokratike, nuk ka gjykatë e as vendim që do ta ndryshojë mënyrën se si rinia e Kosovës i sheh çlirimtarët tanë”, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër