Prishtinë, 10 gusht, Zhurnal.mk – Driton Hyseni, ish-Kryetar i Delegacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, tani zëvendësministër i është drejtuar me një mesazh presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke kërkuar nga ai që të rishqyrtojë qëndrimin e Ukrainës ndaj Kosovës.
Hyseni ka theksuar se integriteti territorial, sovraniteti dhe vullneti i popullit janë parime themelore për Ukrainën, duke pyetur pse të njëjtat parime nuk respektohen kur bëhet fjalë për Kosovën.
“Zoti President Zelensky, nëse integriteti territorial, sovraniteti dhe vullneti i popullit janë parime themelore për Ukrainën, pse nuk i respektoni këto parime kur bëhet fjalë për Kosovën?”, ka shkruar Hyseni.
Ai ka bërë një paralelizëm mes përvojës së Kosovës dhe asaj të Ukrainës, duke kujtuar se Kosova ishte mbështetur nga NATO përballë agresionit serb dhe shkeljeve të rënda ndaj popullsisë.
Sipas Hysenit, populli i Kosovës ka qëndruar që nga dita e parë në mbështetje të Ukrainës dhe të sovranitetit, integritetit territorial dhe të drejtës së saj për liri.
Në fund, Hyseni i ka bërë thirrje Zelenskyt që ta rishqyrtojë qëndrimin e Ukrainës dhe ta njohë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur.
“Respektoni vullnetin e popullit të Kosovës, ashtu siç i kërkoni botës të respektojë vullnetin dhe sovranitetin e popullit ukrainas”, ka përfunduar ai.

