Kosova e varur nga importet

Nga D. V.
474 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 10 gusht, Zhurnal.mk – Importet vazhdojnë të rriten nga viti në vit, duke vendosur rekorde të reja dhe duke zgjeruar hendekun mes asaj që Kosova blen nga jashtë dhe asaj që arrin të shesë. Të dhënat e Doganës së Kosovës, Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe Odës Ekonomike të Kosovës tregojnë se ekonomia mbetet e mbështetur kryesisht në mallrat e importuara.

Ekonomia e Kosovës po importon mallra me ritëm gjithnjë e më të lartë.

Brenda rreth pesë vjetësh e gjysmë, nga fillimi i vitit 2021 deri në fund të muajit maj 2026, vlera e mallrave të importuara ka kaluar shifrën prej 32 miliardë eurosh.

Të dhënat zyrtare të Doganës së Kosovës tregojnë se vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026, vendi importoi mallra në vlerë prej 2.92 miliardë eurosh. Kjo shumë është rreth 150 milionë euro më e lartë se në të njëjtën periudhë të vitit paraprak dhe mbi gjysmë miliard euro më e lartë krahasuar me 5-mujorin e vitit 2024.

Nëse këtij 5-mujori i shtohen importet e regjistruara gjatë viteve 2021–2025, të cilat arrijnë në rreth 29.35 miliardë euro, rezulton se në më pak se gjashtë vjet, ekonomia e Kosovës ka shpenzuar mbi 32 miliardë euro për blerjen e mallrave nga jashtë.

Këto shifra tregojnë përmasa gjithnjë e më të mëdha të tregtisë importuese, por edhe faktin se pjesa më e madhe e konsumit në Kosovë vazhdon të mbështetet në produkte të prodhuara jashtë vendit.

Rekord pas rekordi në importe

Analiza e të dhënave vjetore të Doganës së Kosovës tregon rritje të pandërprerë të importeve gjatë gjithë periudhës së analizuar.

Në vitin 2021, Kosova importoi mallra në vlerë prej rreth 4.65 miliardë eurosh.

Një vit më vonë, importet u rritën në 5.60 miliardë euro, duke shënuar zgjerimin më të madh vjetor të kësaj periudhe. Brenda vetëm një viti, fatura e importeve u rrit me afro 954 milionë euro, ose 20.5%, rritje që lidhej me rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë, rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe zgjerimin e konsumit të brendshëm.

Pas këtij kërcimi të fortë, ritmi u ngadalësua në vitin 2023,, kur importet arritën në 5.77 miliardë euro. Rritja ishte rreth 164 milionë euro, ose 2.9%, norma më e ulët e regjistruar gjatë viteve të fundit.

Megjithatë, ngadalësimi rezultoi i përkohshëm.

Në vitin 2024, importet u rritën përsëri në 6.33 miliardë euro, duke u zgjeruar me rreth 561 milionë euro krahasuar me vitin paraprak.

Ndërsa viti 2025 solli një tjetër rekord historik. Për herë të parë, vlera e mallrave të importuara kaloi pragun e 7 miliardë eurove, duke arritur në rreth 7.0 miliardë euro.

Krahasuar me vitin 2024, importet u rritën me mbi 672 milionë euro, duke e bërë vitin 2025 periudhën me nivelin më të lartë të importeve të regjistruar ndonjëherë në Kosovë.

Në tërësi, gjatë periudhës 2021–2025, importet janë zgjeruar me rreth 50.6%, ndërsa norma mesatare vjetore e rritjes ka qenë 10.8%.

Praktikisht, çdo vit ka sjellë më shumë mallra të importuara dhe një faturë financiare gjithnjë e më të lartë për ekonominë kosovare.

Tendenca vazhdon edhe në vitin 2026

Shifrat e 5-mujorit të parë të këtij viti tregojnë se dinamika nuk ka ndryshuar.

Nga janari deri në fund të majit 2026, importet kanë arritur në 2.92 miliardë euro.

Nëse ritmi aktual ruhet edhe në muajt e mbetur të vitit, importet pritet të mbeten pranë rekordit të vendosur gjatë vitit 2025.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, importet janë rritur me rreth 150 milionë euro, ndërsa në raport me 5-mujorin e vitit 2024, zgjerimi kalon 500 milionë euro.

Rritja e vazhdueshme e importeve ka ardhur paralelisht me zgjerimin e konsumit të brendshëm dhe me rritjen e kërkesës për produkte të huaja, ndërkohë që prodhimi vendor nuk ka arritur të ndjekë të njëjtin ritëm.

Një pjesë e konsiderueshme e kësaj fature lidhet me importin e derivateve të naftës, energjisë elektrike, makinerive, pajisjeve industriale, automjeteve, materialeve ndërtimore dhe produkteve ushqimore, kategori që prej vitesh dominojnë strukturën e importeve të Kosovës.

Edhe pse eksportet kanë shënuar rritje në disa sektorë gjatë viteve të fundit, ritmi i tyre ka mbetur dukshëm më i ulët sesa ai i importeve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër