Kumanovë, 31 tetor Zhurnal.mk – Vjeshta po sjell gjithnjë e më shumë ditë të ftohta, ndërsa bashkë me uljen e temperaturave shtohet edhe rreziku i përhapjes së gripit sezonal. Për të parandaluar komplikimet shëndetësore, në rajonin verilindor ka nisur imunizimi kundër gripit.
Qendra për Shëndet Publik në Kumanovë fillimisht ka siguruar 1.600 doza vaksinash, të cilat përfshijnë edhe njësitë në Kriva Pallankë dhe Kratovë. Interesimi i qytetarëve është i madh, ndërsa një pjesë e tyre tashmë e kanë kthyer vaksinimin në një praktikë të përvitshme. Bëhet fjalë për vaksina trevalente, të cilat janë falas dhe u dedikohen fillimisht kategorive më të rrezikuara nga gripi sezonal.
“Vaksinimi rekomandohet për personat mbi 65 vjeç, fëmijët nga mosha gjashtë muaj deri në pesë vjeç, personat me sëmundje kronike, veçanërisht ato respiratore dhe kardiovaskulare, si dhe për personat me diabet. Në këtë grup përfshihen edhe personat që marrin terapi imunosupresive, ata që jetojnë në familje me persona që marrin këtë terapi, banorët e shtëpive të të moshuarve, gratë shtatzëna, nënat gjidhënëse dhe punonjësit shëndetësorë”, deklaroi Edisa Ramizi, epidemiologe në Qendrën për Shëndet Publik- Kumanovë.
Pa dyshim se më të shqetësuar për ta kaluar sa më lehtë dhe pa komplikime sezonin e viruseve dhe gripit këtë dimër janë të moshuarit dhe qytetarët me sëmundje të tjera shoqëruese.
Shumë prej të anketuarve thanë se vaksinimin e kishin kryer me kohë, me qëllim që të mbrohen nga viruset dhe komplikimet e mundshme shëndetësore. Disa qytetarë theksuan se, përveç vaksinimit, gjatë kësaj periudhe i kushtojnë rëndësi edhe ushqimit dhe marrjes së vitaminave.
“Po, rregullisht po vaksinohem, sepse kam më shumë se 20 vjet që vuaj nga bronkiti kronik”, u shpreh qytetari.
“Edhe unë njësoj, vaksinohem bashkë me të. I kam kaluar të 60-at, jemi njerëz të moshuar, pse të mos vaksinohemi? Madje, ndihemi më mirë”, theksoi qytetari.
“Po jam I vaksinuar, por përveç kësaj, gjatë kësaj periudhe marr edhe më shumë vitamina, si limonë dhe portokaj”, deklaroi qytetari.
Mjekët u bëjnë thirrje qytetarëve që të vaksinohen me kohë dhe të respektojnë rekomandimet për mbrojtjen e shëndetit individual dhe kolektiv. Pas marrjes së vaksinës, ata thonë se organizmit i nevojitet dy deri në tri javë për të krijuar imunitet, ndërsa mbrojtja zgjat deri në një vit.
Nga ana tjetër, autoritetet shëndetësore sigurojnë se ka vaksina të mjaftueshme për të gjithë të interesuarit dhe se gjatë kësaj periudhe janë siguruar rreth 20 mijë doza më shumë se vitin e kaluar.
