Autoritetet nuk tregojnë nëse po hetojnë thirrjet antishqiptare në ndeshjen e një dite më parë mes Vardarit dhe Bashkimit, vetëm disa metra larg selisë qendrore të Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Ky institucion, lera që nuk e tha asnjë fjalë për fyerjet, por e mori në mbrojtje të plotë gjyqtarin Benjamin Kerimi, vendimi i të cilët për karton të kuq shkaktoi tollovi në fushë, pas çka edhe nisën thirrjet raciste
Sipas njoftimit zyrtar të FFM-së, arbitri ndodhej rreth një metër larg incidentit, e ka parë qartë veprimin dhe pa hezitim ka marrë vendimin për përjashtim të drejtpërdrejtë. Më tej, në reagim thuhet se një zyrtar i përjashtuar më herët nga stafi i Bashkimit ka hyrë në mënyrë të palejuar në fushën e lojës, duke provokuar dhe nisur një konfrontim me futbollistin e Vardarit, Boban Nikollov.
Ndërkohë KF Bashkimi në reagimin zyrtar informoi se futbollistët dhe stafi teknik ishin gati të braktisin ndeshjen pas fyerjeve të tifozëve vendas
“Këto thirrje u përsëritën disa herë, duke krijuar një situatë të tensionuar dhe të papranueshme në stadium. Përkundër kësaj, nga ana e delegatit të ndeshjes dhe gjyqtarit nuk pati reagim adekuat deri në momentin kur përfaqësuesi i klubit tonë u detyrua të ndërhyjë dhe të largojë ekipin përkohësisht nga fusha, me qëllim mbrojtjen e lojtarëve dhe stafit tonë. Theksojmë se kjo ishte arsyeja e vetme e tërheqjes së ekipit nga terreni për disa minuta. Klubi kërkon nga Federata që të marrë masa të menjëhershme, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”, u shprehen nga KF Bashkimi.
Kujtojmë se gjithçka filloi në minutën e 78 kur tifozët vendas të njohur për fyerje “Komitët” pandëqrprerë lëshuan thirrje raciste e antishqiptare.
“Shqiptari i vdekur – shqiptari i mirë”
Këto thirrje që nuk po ndaleshin nga Komitët detyruan përfaqësuesit e Bashkimit të reagojnë tek delegati i ndeshjes, që çoi në ndërprerën e ndeshjes për disa minuta.
