Shkup, 22 shtator Zhurnal.mk – Secilën ide apo iniciativë që mund të ngre Bashkimi Evropian për të përshpejtuar integrimin e rajonit, konsiston në përforcimin e integrimit gradual, respektivisht mundësia që vendet kandidate të përfitojnë beneficione nga BE-ja para anëtarësimit formal, thotë analisti politik, Petar Arsovsvki.
Megjithatë, sipas tij, për Maqedoninë e Veriut ndryshimet kushtetuese janë një konstancë e pandryshueshme dhe kusht që patjetër duhet plotësuar dhe këtë kornizë nuk e anashkalon çfarëdo iniciative e Unionit për ndryshime në zgjerim.
“Marrë parasysh se ajo është vetëm iniciativë joformale, respektivisht vetëm ide në letër, nuk dihet nëse në realitet do të marrë ndonjë formulim konkret dhe metodologjik. Plan i këtillë për Maqedoninë tani zbatohet nga i ashtuquajturi “Plani i Rritjes”, ku një pjesë e mjeteve dhe beneficione shfrytëzohen para anëtarësimit formal. Nëse ai plan bëhet realitet, nuk dihet nëse ai do t’i ndryshojë rregullat që janë përfshirë në kornizën negociuese. Sigurisht për Maqedoninë e Veriut ndryshimi i Kushtetutës do të jetë pengesë kryesore për fillimin e bisedimeve. Në këtë kuptim, përshpejtimi i integrimit, respektivisht, shfrytëzimi i beneficioneve paraprakisht, do të vlejë për vendet që janë në proces, ndërkaq për ne mendoj se kushti kryesor do të mbetet, që të mund të hymë në atë rreth që për momentin është vetëm teorik dhe hipotetik.”, – deklaroi analisti politik, Petar Arsovski.
Sipas deklaratave të zyrtarëve të BE-së, Komisioni Evropian do të paraqesë për diskutim mekanizma për integrim gradual të vendeve kandidate, duke ruajtur kushtet dhe reformat që duhet t’i përmbushin shtetet aspirante.
Në këtë drejtim, në vjeshtë janë paralajmëruar shqyrtime për përgatitjen e BE-së për zgjerim apo përgatitjet funksionale me më shumë anëtarë.
