Interesim i madh për regjistrim në Gjimnazin e Tetovës, Mjekësi dhe Ekonomi

Nga Xh M
764 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 22 gusht Zhurnal.mk – Gjimnazi i Tetovës, Shkolla e Mesme e Mjekësisë dhe Shkolla e Mesme Ekonomike „8 Shtatori“ vazhdojnë të jenë ndër zgjedhjet më të preferuara për nxënësit që këtë vit do të regjistrohen në arsimin e mesëm.

Në Gjimnazin e Tetovës, interesimi i nxënësve ka qenë i lartë që në dy afatet e para të regjistrimit, ndërsa edhe në afatin e tretë janë regjistruar aplikime të reja.

Drejtori i Gjimnazit të Tetovës, Jeton Kamberi, tha se në afatin e fundit kanë aplikuar rreth 30 nxënës, por jo të gjithë do të mund të regjistrohen, pasi për pranimin në këtë shkollë kërkohen të paktën 60 pikë.

“Numri i aplikantëve në shkollën tonë për vitin e parë është 295 në afatin e parë. Edhe në afatin e dytë dhe tani në afatin e tretë ka pasur paraqitje të nxënësve. Afër 30 nxënës kanë aplikuar, mirëpo jo të gjithë do të pranohen për shkak se nuk i plotësojnë 60 pikët që kërkohen në shkollën tonë. Rrjedhimisht, do të duhet ta marrin dokumentacionin dhe të aplikojnë në një shkollë tjetër”, deklaroi Kamberi.

Interesim i madh është shënuar edhe në Shkollën e Mesme Ekonomike „8 Shtatori“. Në dy afatet e para në këtë shkollë janë pranuar mbi 180 nxënës, ndërsa numri pritet të rritet edhe pas përfundimit të afatit të tretë.

Drejtoresha e shkollës, Hava Hasani, e vlerësoi si të kënaqshëm interesimin e nxënësve për drejtimet që ofron shkolla.

“Deri në këto momente interesimi është i kënaqshëm. Numri i nxënësve që kanë aplikuar deri tani është mbi 170 nxënës”, u shpreh Hasani.

Në nivel vendi, Ministria e Arsimit dhe Shkencës për vitin shkollor 2026/2027 ka paraparë mbi 25 mijë vende të lira për regjistrimin e nxënësve në vitin e parë në 109 shkolla të mesme publike.

Megjithatë, numri real i nxënësve që regjistrohen është dukshëm më i ulët dhe lidhet drejtpërdrejt me numrin e nxënësve që përfundojnë arsimin fillor.

Ndërkohë, jo të gjithë nxënësit e Tetovës do ta nisin vitin e ri shkollor në objektet e tyre.

Nxënësit e Shkollës së Mesme të Tekstilit pritet që edhe këtë vit një pjesë të mësimit ta ndjekin online, ndërsa pjesën tjetër në objektin e Shkollës Fillore „Besa“ në Reçicë të Vogël, pasi objekti i tyre shkollor ende është në ndërtim.

Në kushte të ngjashme pritet ta nisin vitin shkollor edhe nxënësit e Shkollës Fillore „Rilindja“ në fshatin Sellcë, ku punimet në objektin shkollor ende nuk kanë përfunduar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër