Irani dënon me mbi 5 vite burg regjisorin fitues të Palmës së Artë, i konfiskon pasuritë

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Regjisori iranian, Jafar Panahi, fitues i Palmës së Artë në Festivalin e Filmit në Kanë, është dënuar me pesë vite e një muaj burg. Gjykata ka urdhëruar gjithashtu konfiskimin e të gjitha pasurive të tij, si dhe i ka ndaluar udhëtimet jashtë vendit dhe përdorimin e rrjeteve sociale për dy vite.

Një gjykatë në Iran ka dhënë një tjetër vendim dënimi ndaj regjisorit të njohur Jafar Panahi, një prej zërave më të rëndësishëm të kinematografisë iraniane. Lajmi u bë i ditur nga avokati i tij, Mostafa Nili, për median iraniane Emtedad.

Panahi, 66 vjeç, u dënua në mungesë. Sipas avokatit, krahas dënimit me burg, gjykata ka urdhëruar sekuestrimin e pasurive të tij dhe ka vendosur një ndalim dyvjeçar për udhëtimet dhe përdorimin e rrjeteve sociale. Akuzat konkrete mbi të cilat është mbështetur vendimi i fundit nuk janë bërë ende të qarta.

Regjisori ishte kthyer në Iran në mars, pas një udhëtimi jashtë vendit për të promovuar filmin e tij It Was Just an Accident, i cili fitoi Palmën e Artë në Festivalin e Filmit në Kanë vitin e kaluar. Kthimi ndodhi pavarësisht se Panahi ishte dënuar më parë, në mungesë, me një vit burg për akuza që lidhen me “aktivitete propagandistike kundër sistemit”.

Sipas një miku të regjisorit, aktivist me bazë në Evropë, i cili foli për Associated Press, Panahi nuk ishte arrestuar pas shpalljes së vendimit të fundit.

Avokati Mostafa Nili bëri të ditur se ndaj regjisorit janë ende të hapura tri çështje ligjore. Sipas tij, Panahi nuk ishte njoftuar për datën e seancës gjyqësore në çështjen e fundit dhe kishte mësuar për procedurat vetëm pasi llogaritë e tij bankare u bllokuan javën e kaluar.

Moein Khazaeli, avokat i të drejtave të njeriut pranë qendrës ligjore Dadban, e cila këshillon aktivistët iranianë, paralajmëroi se dënimi dhe konfiskimi i pasurive mund të bien ndesh me Kushtetutën e Iranit, nëse autoritetet nuk provojnë një bazë të qartë ligjore që lidh pronën me veprën e pretenduar penale.

Në një intervistë për gazetën The Guardian, gjatë qëndrimit të tij në SHBA në fillim të këtij viti, Panahi paralajmëroi se cikli aktual i dhunës në Iran mund të vazhdonte.

“Ajo që kam paraqitur në këtë film është se, kur cikli i dhunës vazhdon, bëhet shumë e vështirë për ta ndalur atë”, u shpreh regjisori.

Ai shtoi se dhuna e ushtruar nga shteti krijonte frikën se ky cikël do të vazhdonte. Vendimi i fundit ka shtuar shqetësimet mes artistëve për rreziqet me të cilat përballen krijuesit që vazhdojnë të punojnë në mënyrë të pavarur në Iran.

Aktorja iraniane, Setareh Maleki, e cila u detyrua të largohej nga vendi pas pjesëmarrjes në filmin The Seed of the Sacred Fig, të regjisorit Mohammad Rasoulof, i nominuar për çmimin Oscar, tha se një prej frikërave më të mëdha të diktaturave është humbja e kontrollit mbi historitë që tregojnë njerëzit.

Sipas saj, kur këto histori kalojnë kufijtë dhe mbërrijnë te publiku ndërkombëtar, bëhet e pamundur që ato të heshten. Maleki e cilësoi dënimin e Panahit si një tjetër dëshmi të përpjekjeve të autoriteteve iraniane për të kufizuar lirinë e shprehjes.

Edhe aktori iraniano-britanik Nazanin Boniadi e dënoi vendimin, duke theksuar se Panahi prej dekadash e ka shndërruar censurën në një formë rezistence përmes kinemasë dhe ka dokumentuar vuajtjet e qëndresën e popullit iranian.

Ndërkohë, një regjisore që po xhiron fshehurazi një film brenda Iranit, e cila kërkoi të mbetet anonime, shprehu mbështetjen e saj për Panahin. Ajo tha se regjisori nuk ka heshtur dhe ka ngritur zërin për kërkesat e popullit iranian.

Sipas saj, vendimi i fundit mund të lidhet edhe me thirrjet e Panahit për unitet gjatë protestave të janarit dhe mbështetjen e tij për zëra të ndryshëm brenda vendit, përfshirë mbështetësit e Reza Pahlavit, djalit në mërgim të ish-shahut të Iranit.

Në një raport të fundit, organizata amerikane Center for Human Rights in Iran paralajmëroi se autoritetet iraniane po intensifikojnë presionin ndaj artistëve, shkrimtarëve, poetëve, muzikantëve dhe figurave të tjera të kulturës.

Sipas organizatës, zërat paqësorë po përballen gjithnjë e më shumë me të njëjtat mekanizma të sigurisë dhe të drejtësisë që përdoren për të shtypur kundërshtimin politik në vend.

Dënimi i Jafar Panahit vjen në një kohë kur shqetësimet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes dhe të drejtat e artistëve në Iran vazhdojnë të rriten.

artikuj të ndërlidhura