Ish-presidentët e Maqedonisë së Veriut mes heshtjes dhe angazhimit publik

Nga Xh M
901 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 maj Zhurnal.mk – Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova ka hapur dje Zyrën Popullore të Presidentit në Shkup, me mesazhin se institucioni duhet të jetë më afër qytetarëve dhe i hapur për dialog, debat dhe kulturë demokratike. Ajo paralajmëroi se zyra të ngjashme do të hapen edhe në qytete të tjera të vendit, shkruan SP.

E pyetur nëse ish-presidentët duhet të jenë më aktivë në jetën publike edhe pas përfundimit të mandateve të tyre, Siljanovska-Davkova tha se përvoja dhe angazhimi i tyre nuk duhet të ndalen me largimin nga funksioni.

“Do të ishte mirë të organizohej një tryezë e përbashkët e ish-presidentëve, ku do të mund të këshilloheshim për sfidat dhe zgjidhjet me të cilat përballet shteti”, deklaroi ajo.

Ndërkohë, aktiviteti i ish-presidentëve të Maqedonisë së Veriut ndryshon dukshëm – nga tërheqje e plotë nga jeta publike, deri te angazhime ndërkombëtare dhe projekte me të rinjtë.

Branko Crvenkovski sot është pothuajse tërësisht i tërhequr nga politika dhe jeta publike. Ai rrallëherë shfaqet në media apo aktivitete publike, ndërsa paraqitjet e fundit më të rëndësishme i kishte në vitin 2021 në MANU dhe më herët gjatë debatit për Marrëveshjen e Prespës.

Nga ana tjetër, Gjorge Ivanov vazhdon të jetë aktiv përmes forumeve ndërkombëtare dhe Shkollës për Liderë të Rinj, ku për më shumë se një dekadë trajnohen të rinj nga vendi dhe rajoni. Ai së fundmi mori pjesë në Samitin Ekonomik Euroaziatik në Stamboll dhe në aktivitete në Londër e Novi Sad.

Aktiv mbetet edhe Stevo Pendarovski, i cili përmes Qendrës Presidenciale ka nisur projektin “Jehona e Demokracisë”, të fokusuar në demokraci, të rinj dhe bashkëpunim rajonal. Pendarovski vazhdon të jetë prezent në debate publike dhe analiza politike për sigurinë, gjeopolitikën dhe integrimet euroatlantike. Në muajt e fundit, mediat raportuan edhe për kritikat e tij ndaj gjendjes në LSDM dhe spekulime për një iniciativë të re politike.

Trashëgimia e presidentëve të ndjerë Kiro Gligorov dhe Boris Trajkovski vazhdon përmes fondacioneve që mbajnë emrat e tyre. Fondacioni “Kiro Gligorov” është i fokusuar kryesisht në ruajtjen e dokumenteve dhe trashëgimisë së tij shtetërore, ndërsa Fondacioni “Boris Trajkovski” zhvillon aktivitete më aktive me programe rinore, konferenca dhe promovim të dialogut ndërfetar e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Sipas ligjit, ish-presidentët gëzojnë të drejtën për kompensim mujor, zyrë, staf, sigurim dhe automjet zyrtar. Megjithatë, mënyra e shfrytëzimit të këtyre privilegjeve ndryshon. Pendarovski publikisht hoqi dorë nga pensioni presidencial, Ivanov vazhdon t’i përdorë pothuajse të gjitha beneficionet, ndërsa Crvenkovski mbetet larg jetës institucionale dhe publike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër