Ish-nënkryetari i qeverisë belge dhe ish-Komisioneri Europian për Drejtësinë, Didier Reynders, u akuzua zyrtarisht sot për pastrim parash dhe krime të tjera të mundshme, njoftuan mediat belge.
Aktakuza kundër Reynders (67) u ngrit pasi ai u dëgjua më 16 tetor para gjyqtarit hetues Olivier Leroux, i cili vlerësoi se kishte “indikacione serioze të fajit”, raporton Brussels Times.
Ish-komisioneri evropian nuk është ndaluar, raportoi faqja e internetit “Follow the Money”, duke cituar një burim të njohur me rastin.
Hetimi, i cili ka vazhduar për më shumë se një vit, është përqendruar në origjinën e pothuajse një milion eurove që kaluan përmes llogarive të Reynders.
Prokuroria dyshon se midis viteve 2008 dhe 2018, ai ka pastruar rreth 700,000 euro përmes llogarisë së tij personale bankare, dhe më pas edhe 200,000 euro të tjera duke blerë sasi të mëdha biletash lotarie, fitimet e të cilave i ka transferuar në të njëjtën llogari.
Bastisjet në shtëpinë e tij u kryen në dhjetor 2024, vetëm pak ditë pas përfundimit të mandatit të tij si Komisioner Europian për Drejtësinë.
Reynders, i cili ishte ministër i Financave i Belgjikës nga viti 1999 deri në vitin 2011 dhe më pas ministër i Jashtëm deri në vitin 2019, shërbeu si komisioner evropian i drejtësisë nga viti 2019 deri në vitin 2024.
Sipas mediave belge, hetuesit po kontrollojnë edhe bankën e tij, ING Belgium, për shkak të dyshimeve se ajo nuk i ka monitoruar në mënyrë të mjaftueshme transaksionet e dyshimta.
Në një njoftim të mëparshëm, banka theksoi se “lufta kundër krimit financiar është një nga prioritetet e saj kryesore”.
Nuk dihet se nga kanë ardhur paratë që janë objekt i hetimit, dhe Reinders, sipas burimeve pranë hetimit, deklaroi se fondet kanë ardhur nga shitja e veprave të artit dhe antikiteteve.
Nëse prokuroria vendos të ngrejë akuza, do të kërkohet pëlqimi i njërës prej dhomave të parlamentit belg për të filluar gjyqin.
Pastrimi i parave në Belgjikë dënohet deri në pesë vjet burg.
