Italia udhëheq grupin e vendeve që kundërshtojnë statusin e “anëtarëve të klasës së dytë” për kandidatët në BE

Nga Xh M
1,867 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Romë, 13 korrik Zhurnal.mk – Italia, së bashku me gjashtë shtete të tjera që mbështesin anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, ka kundërshtuar propozimin e Francës, Gjermanisë dhe vendeve të Beneluksit për vendosjen e masave të reja dhe më kufizuese në traktatet e anëtarësimit për vendet e ardhshme anëtare.

Sipas një dokumenti diplomatik të muajit të kaluar, i hartuar nga Franca, Gjermania, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu, është propozuar që vendet e reja anëtare, për një periudhë prove, të kufizohen në të drejtën e votës për çështje që lidhen me buxhetin, sigurinë dhe politikën e jashtme të BE-së.

Italia, së bashku me Austrinë, Kroacinë, Çekinë, Greqinë, Sllovakinë dhe Slloveninë, e kundërshtuan këtë qasje në kuadër të grupit të njohur si “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”.

Në dokumentin e publikuar, të cilit i referohet Euractiv, theksohet se duhet të shmanget çdo qasje që mund të krijojë perceptimin e kandidaturave ose anëtarësimit të “klasit të dytë”.

“Duhet të zbatohet një qasje e unifikuar në procedurat e negociatave për të gjithë kandidatët, pa marrëveshje të përshpejtuara ose rrugë paralele”, thuhet në dokument.

Gjithashtu, theksohet se nuk duhet të vendosen kërkesa të reja, kushte politike apo hapa shtesë institucionalë, pasi ato do t’i dekurajonin vendet kandidate dhe do ta dobësonin ndikimin e Bashkimit Evropian në fqinjësinë e tij.

Grupi pranon legjitimitetin e klauzolave mbrojtëse, masave kalimtare dhe mekanizmave të monitorimit pas anëtarësimit, por vetëm nëse ato bazohen në nevoja objektive, janë proporcionale, juridikisht të qëndrueshme dhe në përputhje me arkitekturën institucionale të BE-së.

Sipas dokumentit, korniza e masave mbrojtëse duhet të mbështetet në përvojat e zgjerimeve të mëparshme dhe të përshtatet me sfidat aktuale, duke ruajtur fleksibilitet për secilin vend kandidat.

Ky dokument joformal vjen në prag të Samitit të Këshillit Evropian që do të mbahet në tetor, ku liderët e BE-së pritet të diskutojnë qasjen e Unionit ndaj zgjerimit, në një kohë kur procesi i anëtarësimit për shumë vende të Ballkanit Perëndimor vazhdon të zvarritet.

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian të ruajë “barazinë e vendeve anëtare pas anëtarësimit” dhe të mos vendosë kërkesa apo kushte të reja, duke mbështetur një kornizë të përbashkët që përshtatet me specifikat e secilit vend kandidat.

“Jemi të bindur për nevojën që ribashkimi i familjes evropiane me Ballkanin të jetë një prioritet politik”, deklaroi Tajani të premten e kaluar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër