Tel Aviv, 07 tetor, Zhurnal.mk – Izraeli po përgatitet për një javë me ceremoni përkujtimore, aktivitete dhe protesta në kuadër të trevjetorit të sulmit të Hamasit të 7 tetorit.
Aktivitetet do të zhvillohen në rreth 400 lokacione në të gjithë vendin, duke nisur në orën 06:29, në të njëjtën orë kur filloi sulmi, dhe do të kulmojnë në mbrëmje me një ceremoni kombëtare në Tel Aviv.
Në qendër të disa aktiviteteve do të jetë edhe biçikleta pa pedale e Ariel Bibas, fëmijës me flokë të kuq që u bë një prej simboleve më të dhimbshme të 7 tetorit.
Biçikleta do të ekspozohet në ekspozitën “The Space Left Behind”, në Qendrën Peres për Paqe dhe Inovacion në Jaffa. Ekspozita përmban objekte personale të personave të vrarë, të marrë peng ose të prekur nga ngjarjet e 7 tetorit.
Ceremoni përkujtimore dhe aktivitete të tjera janë planifikuar edhe në vendin ku u zhvillua festivali muzikor Nova, pranë Re’im, si dhe në kryqëzimin Sha’ar HaNegev, ku flamuri izraelit është ulur në gjysmështizë.
Në aktivitetet përkujtimore marrin pjesë edhe familjet e viktimave, ndërsa një numër institucionesh shëndetësore dhe universitare në të gjithë vendin kanë organizuar ceremonitë e tyre.
Nga pasditja deri në mbrëmje priten protesta në disa qytete të Izraelit.
Dita do të përmbyllet në orën 21:15, me ceremoninë kombëtare përkujtimore në Parkun Hayarkon të Tel Avivit, organizuar nga familjet e viktimave të 7 tetorit. Ceremonia do të drejtohet nga ish-i burgosuri Eli Sharabi dhe aktorja Shani Cohen.
