Shkup, 28 tetor, Zhurnal.mk – Arsimi ka një rol të rëndësishëm jo vetëm në përvetësimin e njohurive, por edhe në formimin e vlerave, përgjegjësisë personale dhe integritetit te të rinjtë. Përmes punës së përditshme në shkolla, vlerësimit objektiv, mundësive të barabarta për të gjithë nxënësit dhe nxitjes së të menduarit kritik, të rinjtë mësojnë ta njohin padrejtësinë dhe t’i kundërvihen korrupsionit.
Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në Forumin Kombëtar “Të rinjtë për integritet – Nga zëri i të rinjve drejt ndryshimeve institucionale”, i organizuar në kuadër të aktivitetit përmbyllës të projektit “Të rinjtë për integritet: Zgjerimi i aktiviteteve antikorrupsion të të rinjve”, i zbatuar nga organizata think tank “Analitika”, me mbështetje financiare nga Ministria Federale e Punëve të Jashtme e Gjermanisë.
Ministrja shprehu mirënjohje për ekipin e Analitika për përkushtimin dhe angazhimin në projekt, si dhe për mësimdhënësit dhe profesorët, të cilët përmes punës dhe shembullit të tyre personal kontribuojnë që të rinjtë të zhvillojnë ndjenjën e drejtësisë, përgjegjësisë dhe respektimit të rregullave.
“Çdo mësimdhënës që i vlerëson nxënësit në mënyrë objektive, pa favorizime dhe ndikime personale, kontribuon në edukimin antikorrupsion të të rinjve. Kur shkolla u mundëson mundësi të barabarta të gjithë nxënësve, u tregon atyre se suksesi duhet të varet nga njohuritë, puna dhe përkushtimi, e jo nga lidhjet dhe privilegjet”, tha ministrja.
Edukimi antikorrupsion është i integruar në procesin edukativo-arsimor. Përmes lëndës së Arsimit qytetar, nxënësit mësojnë për të drejtat dhe detyrimet e tyre, funksionimin e instituci-oneve dhe sundimin e së drejtës, ndërsa përmbajtjet që lidhen me integritetin, përgjegjësinë dhe parandalimin e korrupsionit trajtohen edhe në lëndë të tjera. Përveç kësaj, përmes projekteve dhe aktiviteteve jashtëshkollore, nxënësit kanë mundësi të njihen më hollësisht me këto çështje. Mësimdhënësit dhe profesorët i avancojnë njohuritë e tyre përmes trajnimeve dhe zhvillimit profesional.
Janevska theksoi se është e rëndësishme që të rinjtë të mos e pranojnë korrupsionin si një dukuri normale dhe të pashmangshme, duke dëgjuar arsyetimin se “kështu funksionojnë gjerat”.
“Nuk mjafton vetëm t’u themi të rinjve se duhet të jenë të ndershëm. Është e domosdoshme të tregojmë se korrupsioni nuk shpërblehet, se rregullat vlejnë për të gjithë dhe se në këtë sht-et mund të arrihet suksesi përmes njohurive, punës dhe ndershmërisë. Vetëm atëherë thirrja ‘Të rinj, qëndroni këtu!’ do të ketë peshën e saj të vërtetë”, theksoi ministrja.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës, siç u theksua, do të vazhdojë të mbështesë aktivitetet për forcimin e sistemit të vlerave te të rinjtë dhe fuqizimin e rolit edukativ të arsimit, në bashkëpunim me shkollat, mësimdhënësit dhe sektorin civil.
