Tokio, 21 gusht, Zhurnal.mk – Japonia ka protestuar pranë Rusisë pasi u informua se Moska planifikonte të kryente testime raketash në ujërat pranë ishujve të diskutueshëm, të cilët këtë muaj u vizituan nga presidenti rus, Vladimir Putin.
“Kemi paraqitur një protestë në përgjigje të njoftimit për planin për të kryer një testim rakete“ në brigjet e ishujve Kurile, të cilët Japonia i quan ‘Territoret Veriore’“, deklaroi një zëdhënës i qeverisë japoneze.
Agjencia japoneze e lajmeve Kyodo, duke cituar Flotën Ruse të Paqësorit, raportoi se Rusia tashmë kishte kryer një lëshim testues të raketës, megjithëse data e saktë e operacionit nuk ishte e qartë.
Sipas Kyodo, marina ruse bëri të ditur se testimi ishte kryer nga një njësi e pajisur me sistemin e raketave bregdetare “Bastion”.
Në manovër u angazhuan gjithashtu kryqëzori “Varyag”, anija kryesore e Flotës Ruse të Paqësorit, si dhe nëndetësja bërthamore “Omsk”, raportoi Kyodo.
Testimi simulonte një sulm ndaj anijeve armike dhe, sipas Flotës Ruse të Paqësorit, të gjitha objektivat e përcaktuara u goditën me sukses në një distancë prej të paktën 300 kilometrash.
