Shkup, 21 gusht, Zhurnal.mk – Drejtori i MEPSO-së, Burim Latifi, ka njoftuar që sot i ka prezantuar ambasadores amerikane një projekt i pritur me dekada, lidhjen e energjetike me Shqipërinë. Sipas Latifit, ndërlidhja me Shqipërinë përmes linjës së transmetimit 400 kV Manastir–Elbasan nuk është vetëm një projekt infrastrukturor. Është një hap i rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë energjetike, zgjerimit të shkëmbimit ndërkufitar dhe forcimit të integrimit rajonal, transmeton Zhurnal.
“Me kënaqësi të veçantë prita sot, në trafostacionin e Ohrit, të ngarkuarën me detyrën e ambasadores së SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Nicole Warns. Me këtë rast, Shkëlqesisë së Saj i prezantova progresin e projektit për ndërlidhjen energjetike të Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, një projekt që e kemi pritur për dekada. Ndërlidhja me Shqipërinë përmes linjës së transmetimit 400 kV Manastir–Elbasan nuk është vetëm një projekt infrastrukturor. Është një hap i rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë energjetike, zgjerimit të shkëmbimit ndërkufitar dhe forcimit të integrimit rajonal”, ka shkruar drejtori, Burim Latifi.
Ai tutje thekson se trafostacioni i Ohrit po hyn në fazën përfundimtare, ndërsa ndërtimi i linjës së transmetimit po ecën me një dinamikë të mirë dhe me përparim të dukshëm në terren.
“Trafostacioni i Ohrit po hyn në fazën përfundimtare, ndërsa ndërtimi i linjës së transmetimit po ecën me një dinamikë të mirë dhe me përparim të dukshëm në terren. Angazhimi ynë vazhdon edhe më tej, me planet për një ndërlidhje edhe më të fuqishme me Kosovën dhe Bullgarinë, si dhe për përmirësimin e ndërlidhjes me Greqinë. Sa më shumë të jemi të ndërlidhur, aq më të sigurt jemi. Sa më shumë të jemi të integruar në nivel rajonal, aq më të qëndrueshëm dhe më rezistentë jemi”, ka shtuar tutje Latifi.
Dhe në fund falënderon mbështetjen amerikane për ndërtim dhe zhvillim.
“Falënderojmë Ambasadën e SHBA-së për partneritetin dhe mbështetjen në ndërtimin e një rajoni më të fortë, më të sigurt dhe të ndërlidhur energjetikisht”, ka përfunduar Latifi.
