Likovë, 2 shkurt – Kanë hyrë në javën e tretë të bojkotit të mësimit rreth 100 nxënës në Shkollën fillore të Vaksincës. Prindërit nuk tërhiqen për të filluar gjysmë vjetori i dytë pa u larguar nga shkolla mësuesja e anglishtes S.S. që sipas tyre ka probleme shëndetësore. Por, ka një javë që Këshilli i prindërve dhe drejtoria e Shkollës fillore “Rilindja” janë në pritje që Inspektorati i arsimit të ndërmerr masa pasi që i kanë dorëzuar dosjen me peticionin e prindërve dhe me raportet mjekësore të arsimtares së anglishtes.
TV21 mori përgjigje nga Ministria e Arsimit që inspektorati sot ka urdhëruar drejtorinë që të kryhen edhe një kontroll sistematik të S.S. në Qendrën Klinike Universitare “Nënë Tereza” në Shkup, dhe të formohet një komision për verifikimin e të dhënave nëse do të vendos për ndërrimin e vendit të punës së të njëjtës. Inspektorati Shtetëror i Arsimit sugjeron që arsimtarja S.S. të suspendohet përkohësisht nga puna deri në zgjidhjen e problemit, në mënyrë që t’i hapet rrugës rinisjes së mësimit të nxënësve në këtë shkollë.

