“Kafe me Ambasadorët” në Strumicë, dialog për bujqësinë, zhvillimin rural dhe të ardhmen evropiane

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 18 shtator, Zhurnal.mk – Dje, në Europe House Strumicë, u mbajt edicioni i radhës i “Kafe me Ambasadorët”, i cili këtë herë iu kushtua temës “Bujqësia dhe zhvillimi rural”, me pjesëmarrjen e ambasadores së Republikës Federale të Gjermanisë, Sh.S. Petra Dreksler, dhe ambasadores së Mbretërisë së Holandës, Sh.S. Ozlem Xhanel.

Së bashku me bujqit, përfaqësuesit e sektorit akademik dhe të organizatave joqeveritare nga rajoni, ngjarja hapi një diskutim mbi rëndësinë e bujqësisë në ekonomitë moderne evropiane, përvojat e Gjermanisë dhe Holandës, si dhe mundësitë që integrimi evropian sjell për bujqit dhe zonat rurale në Maqedoninë e Veriut.

Strumica, si një nga rajonet më të rëndësishme bujqësore në vend, është një vend i natyrshëm për të zhvilluar një diskutim mbi një sektor që nuk përfaqëson vetëm një veprimtari ekonomike, por është gjithashtu një pjesë e rëndësishme e identitetit lokal, traditës dhe jetës së përditshme.

Në kuadër të diskutimit, vëmendje e veçantë iu kushtua Politikës së Përbashkët Bujqësore të Bashkimit Evropian (CAP) dhe rëndësisë së saj praktike për bujqit. U diskutua se si politikat evropiane bujqësore ndikojnë në prodhimin, mbështetjen për bujqit, standardet mjedisore dhe zhvillimin e komuniteteve rurale, si dhe çfarë do të nënkuptonte përfshirja në këtë sistem për prodhuesit e vegjël dhe të mesëm bujqësorë në Maqedoninë e Veriut.

Ambasadoret ndanë përvojat e Gjermanisë dhe Holandës në përballjen me një nga sfidat më të mëdha të bujqësisë moderne: si të ruhet produktiviteti i lartë, duke mbrojtur njëkohësisht tokën, ujin, biodiversitetin dhe mjedisin.

Diskutimi përfshiu gjithashtu sfidat që lidhen me bujqësinë e qëndrueshme, ndryshimet klimatike dhe nevojën për t’u përshtatur me kushtet e reja, pa ulur konkurrueshmërinë. Inovacionet dhe e ardhmja e bujqësisë gjithashtu zunë një vend të rëndësishëm në diskutim. U shqyrtuan përvojat me bujqësinë precize, teknologjitë e serrave, digjitalizimin, kërkimin shkencor dhe kooperativat bujqësore, si modele që mund të kontribuojnë në rritjen e efikasitetit dhe në një prodhim më të qëndrueshëm.

Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe potencialit të rajonit të Strumicës, i cili disponon tokë pjellore, një traditë të fuqishme në prodhimin e perimeve dhe një pozicion të favorshëm ndaj tregjeve rajonale. Gjatë diskutimit u theksua rëndësia që këto avantazhe të zhvillohen më tej përmes më shumë njohurive, teknologjive, bashkëpunimit dhe qasjes në mundësitë evropiane për zhvillim.

Përmes përvojave të Gjermanisë dhe Holandës, pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjojnë se si politikat evropiane zbatohen në praktikë dhe çfarë mundësish, ndryshimesh dhe përgjegjësish ato sjellin për bujqit dhe komunitetet rurale. Ngjarja përfundoi me një diskutim mbi të ardhmen e bujqësisë në vend, përmes zbatimit të inovacioneve, praktikave të qëndrueshme, organizimit më të mirë dhe shfrytëzimit të instrumenteve evropiane të mbështetjes.

“Kafe me Ambasadorët” është pjesë e aktiviteteve të Europe House, të orientuara drejt krijimit të hapësirës për dialog mbi politikat, përvojat dhe vlerat evropiane dhe rëndësinë e tyre praktike për qytetarët dhe komunitetet lokale në mbarë Maqedoninë e Veriut.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër