Kanadaja dhe Ukraina zgjerojnë bashkëpunimin për prodhimin e dronëve

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Nju Jork, 11 shtator, Zhurnal.mk – Kanadaja dhe Ukraina po zgjerojnë ndjeshëm bashkëpunimin për prodhimin e dronëve, njoftoi dje në mbrëmje kryeministri kanadez, Mark Carney, në një deklaratë të përbashkët me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Sot, Kanadaja dhe Ukraina krijuan një partneritet të ri, i cili do t’i sigurojë Forcave të Armatosura Kanadeze, kapacitete të avancuara në fushën e dronëve, do të krijojë vende pune në të gjithë Kanadanë dhe do të mbështesë Ukrainën, në përpjekjet e saj për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha Carney në një konferencë për shtyp në Calgary.

Sipas një deklarate zyrtare, bashkëpunimi mes dy vendeve do të zgjerohet në të gjitha fazat e prodhimit të dronëve, duke nisur nga sigurimi i metaleve dhe mineraleve të rëndësishme, deri te projektimi dhe zhvillimi teknik i tyre.

Kanadaja synon gjithashtu të krijojë kapacitetet e nevojshme për të prodhuar miliona dronë, brenda dy viteve të ardhshme.

Carney tha se aktualisht Kanadaja ka gjithsej rreth 2 mijë dronë.

Kryeministri kanadez premtoi gjithashtu mbështetje të mëtejshme për Ukrainën, përfshirë raketa për kapjen dhe shkatërrimin e raketave ose mjeteve ajrore armike, të përdorura në kuadër të mbrojtjes ajrore.

Zelensky tha se ndihma e Kanadasë do të përfshijë edhe municione për sistemet e mbrojtjes ajrore “Patriot” dhe avionët luftarakë F-16, si dhe mbështetje për prodhimin e dronëve.

“Paketat e dakordësuara sot arrijnë në vlerén e më shumë se 2 miliardë dollarëve, përfshirë një paketë qeveritare prej më shumë se 1 miliard dollarësh për mbrojtjen tonë, kryesisht për mbrojtjen e hapësirës ajrore: raketa për sistemet “Patriot”, municione për avionët F-16 dhe prodhimin e përbashkët të dronëve. Ka gjithashtu marrëveshje për sektorin tonë energjetik dhe nisma të përbashkëta”, tha Zelensky.

Sipas presidentit ukrainas, 21 pilotë ukrainas të avionëve luftarakë, po trajnohen aktualisht në Kanada.

Qeveria kanadeze tha se, me investimet e njoftuara, vlera totale e mbështetjes së Kanadasë për Ukrainës i tejkalon 26 miliardë dollarët që nga viti 2022.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër