Kaos me barnat e rimbursueshme/ Çmimet e reja bllokojnë farmacitë, rrezikohet furnizimi

nga L. M

Pacientët rrezikojnë të mbeten pa barna të rimbursueshme. Një ngërç i krijuar nga miratimi i çmimeve të reja, si dhe aplikimi i tyre në sistem pa njoftuar farmacitë, ka krijuar kaos në tregun farmaceutik.

Në sistem janë ndryshuar çmimet e pothuajse 40 barnave të listës së rimbursueshme për vitin 2026.

Çmimi i tyre në sistem është ulur dhe farmacitë nuk kanë dijeni për çmimet e reja, por përballen vetëm kur hapin sistemin dhe kërkojnë ekzekutimin e barit për t’ia dhënë pacientit. Ndërkohë që, sipas tyre, ky bar blihet nga depot farmaceutike me çmim disa herë më shumë se çmimi i ri.

Ulja e çmimit të barnave nuk është bërë në të gjithë zinxhirin, pra nga distributori te farmacia, çka i ka vënë në vështirësi farmacitë, të cilët po refuzojnë t’u japin barna me rimbursim pacientëve deri në zgjidhjen e këtij ngërçi.

Jashtë mikrofonit ata shprehen se Komisioni i Çmimit të Barnave në Ministrinë e Shëndetësisë ka vepruar pa transparencë, pasi nuk është konsultuar për uljen e çmimeve dhe po kështu Fondi i Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor, i cili ka kontratë me farmacitë, ka nisur ekzekutimin e çmimeve të reja pa u publikuar lista e re e barnave të rimbursueshme për vitin 2026.

Ndërkohë, për disa barna të tjera me rimbursim, çmimi është rritur disa fish, duke favorizuar disa kompani farmaceutike. Në faqen zyrtare të Fondit është vetëm ky njoftim, ku farmacitë që kanë kontratë për rimbursimin e barnave me Fondin paralajmërohen se së shpejti do të ketë ndryshim të çmimeve, ndërkohë që në sistem ka nisur të aplikohet.

Kjo situatë kaotike ka alarmuar Urdhrin e Farmacistëve dhe Unionin e Biznesit Farmaceutik, të cilët i janë drejtuar me një shkresë sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë për rrezikun e ndërprerjes së furnizimit me barna.

Ju vëmë në dijeni se vazhdimi i shpërndarjes së barnave të prekura nga çmimet e reja të publikuara do të jetë i pamundur në mungesë të miratimit të shprehur dhe harmonizimit financiar nga ana e Mbajtësve të Autorizimit të Marketingut. Në mungesë të një zgjidhjeje institucionale dhe brenda një afati të arsyeshëm, ekziston rreziku real i ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit me barna, veçanërisht për produktet jetike dhe ato të destinuara për pacientët kronikë dhe akutë, situatë e cila mund të ketë pasoja serioze për shëndetin publik dhe të krijojë kushte për një emergjencë në sistemin shëndetësor“, shkruhej në shkresë.

Më herët, Unioni i Biznesit Farmaceutik dhe Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë i janë drejtuar me një shkresë zyrtare Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit në lidhje me shqetësimet dhe problemet që lindin nga miratimi i çmimeve të reja pa u dhënë koha e duhur për të hequr barnat për të cilat kanë detyrim ligjor të kenë sasi për 2 muaj, në mënyrë që të mos krijohet mungesë në treg.

Njëzëri ata e kanë paralajmëruar Ministrinë e Shëndetësisë se miratimi i çmimeve pa u dhënë kohë mund të çojë në ndërprerje të furnizimit me barna dhe mungesa në treg.

Unioni i Biznesit Farmaceutik dhe Urdhri i Farmacistëve i kanë kërkuar më herët Fondit të shtyjë implementimin e çmimeve CIF për vitin 2026 në një afat prej 90 ditësh, për t’u dhënë mundësi të konsumohen barnat e blera me çmimin CIF të vitit 2025, për të shmangur dëmin financiar që shkaktohet në vlerën e disa milionave euro si për importuesit, ashtu edhe për farmacitë.

Madje ata kanë kërkuar të përfshihen në procesin e rishikimit të çmimeve si aktorë të rëndësishëm në furnizimin e tregut me barna, pasi Shqipëria si një treg i vogël nuk përbën interes për kompanitë e mëdha farmaceutike, por falë tyre janë mundësuar barna inovative në treg.

Në shkresën zyrtare, dy institucionet janë paralajmëruar se nëse nuk merret parasysh kjo kërkesë e tyre, do t’i drejtohen Gjykatës Administrative për pezullimin e vendimit të FSDKSH për indeksimin e çmimeve CIF në listën e barnave të rimbursueshme 2026.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More