Kapen tre migrantë nga India në Han të Elezit, dy kosovarë në pranga

Nga D. V.
572 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 03 qershor, Zhurnal.mk – Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në veprën penale “Kontrabandim me migrantë”, në kuadër të planit operativ “Migrimi Ilegal”.

Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur më 2 qershor rreth orës 21:30, gjatë vëzhgimit të vijës kufitare në afërsi të pikëkalimit kufitar në Han të Elezit, ku njësitet kufitare kanë vërejtur një person duke shoqëruar në këmbë tre persona nga fshati Bllacë në drejtim të territorit të Kosovës.

“Personat e dyshuar, pasi kanë kaluar ilegalisht vijën kufitare, me të arritur në rrugën ndërmjet dy pikë kalimeve kufitare, kanë vazhduar lëvizjen me një automjet që dyshohej se ishte duke i pritur”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Më tej, Policia bën të ditur se patrullat kufitare kanë arritur të ndalojnë automjetin e dyshuar, në të cilin ndodheshin dy persona të dyshuar, shtetas të Kosovës, si dhe tre migrantë shtetas të Indisë, të cilët janë kapur në flagrancë.

“Me urdhër të prokurorit kompetent është iniciuar rasti ‘Kontrabandim me migrantë’, përderisa njëri nga personat e dyshuar është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari tjetër… është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet më tej në komunikatë.

Tre migrantët janë dërguar në Qendrën e Pritjes për Migrantë, ku janë trajtuar nga njësia për Migrim dhe të Huaj, ndërsa autoritetet kanë konfiskuar automjetin me targa vendore dhe një telefon mobil si prova materiale.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e krimit ndërkufitar dhe garantimin e sigurisë në kufijtë shtetërorë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër