Shkup, 21 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka inspektuar nga afër ecurinë e punimeve në Shkollën Fillore Komunale “Migjeni”, duke riafirmuar përkushtimin e komunës për përmirësimin e infrastrukturës arsimore.
Kasami theksoi se investimet në shkolla do të vazhdojnë me intensitet, me qëllim krijimin e kushteve sa më të mira për nxënësit dhe procesin mësimor.
“Vazhdojmë me përkushtim të investojmë në përmirësimin e kushteve në shkollat tona, sepse besojmë se çdo nxënës meriton hapësira moderne dhe kushte dinjitoze për mësim”, deklaroi Kasami.
Ai nënvizoi se arsimi mbetet një nga prioritetet kryesore të pushtetit lokal, duke theksuar se investimet në sektorin e arsimit janë investime të drejtpërdrejta në të ardhmen e të rinjve dhe në zhvillimin e qytetit.
“Arsimi mbetet një nga prioritetet tona kryesore, andaj investimet në shkolla janë investime në të ardhmen e fëmijëve tanë dhe në zhvillimin e Tetovës”, theksoi kreu i komunës.
Komuna e Tetovës në periudhën e fundit ka realizuar dhe ka nisur një sërë projektesh për përmirësimin e kushteve në objektet shkollore, me fokus krijimin e një ambienti më cilësor dhe më funksional për nxënësit dhe stafin arsimor.
