Kasami: Më pak kontrolle dhe pritje në kufirin me Shqipërinë, hyn në fuqi sistemi One Stop Shop

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Qafë Thanë, 22 nëntor Zhurnal.mk – Me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, së bashku me bashkryetarin Izet Mexhuti, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, promovuan hyrjen në fuqi të sistemit One Stop Shop, që parasheh kontrolle të përbashkëta kufitare mes dy vendeve.

Përmes këtij sistemi, në pikën kufitare të Qafë Thanës dhe në katër vendkalime të tjera kufitare, qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do t’i nënshtrohen vetëm një kontrolli, duke synuar shkurtimin e kohës së pritjes dhe lehtësimin e qarkullimit ndërmjet dy shteteve.

Kasami, përmes një postimi, theksoi se kjo marrëveshje përfaqëson një hap konkret drejt afrimit të Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë dhe Kosovën, duke nënvizuar se bashkëpunimi nuk duhet të mbetet vetëm në nivel deklarativ, por të shoqërohet me masa konkrete.

Ai përmendi gjithashtu projektet infrastrukturore, përfshirë dy autostradat strategjike që po ndërtohen, si pjesë e angazhimit për forcimin e lidhjeve ndërmjet vendeve.

“Më pak kontrolle, më pak pritje, më shumë besim te njëri-tjetri!”, ishte mesazhi i Kasamit, i cili në fund të postimit uroi qytetarët për Festat e Nëntorit.

artikuj të ndërlidhura