Katër raste me fruth, konfirmohen tre foshnja nën një vjeç

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 2 nëntor Zhurnal.mk – Katër raste me fruth janë konfirmuar në vend, ku virusi është zbuluar te tre shtetas të Maqedonisë së Veriut nga Shkupi, Velesi dhe Shtipi, si dhe te një person nga Kosova.

Mes të infektuarve janë tre foshnja nën moshën 12 muajshe dhe një person 40-vjeçar. Të gjithë të infektuarit kanë qenë të pavaksinuar.

Aktualisht janë duke u zhvilluar anketimet epidemiologjike për të përcaktuar nëse ekziston ndonjë lidhje mes rasteve të konfirmuara.

Ndërkohë, ka mbajtur mbledhje edhe Komisioni për Mbrojtjen nga Sëmundjet Infektive, nga ku u bëhet apel prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të infeksionit.

“Vaksinohuni, kontrolloni nëse i keni marrë të dyja dozat e vaksinës dhe nëse e keni kaluar sëmundjen. Nëse keni temperaturë dhe skuqje të lëkurës, mos shkoni te mjeku pa paralajmërim, por telefononi mjekun. Fruthi është shumë ngjitës dhe çdo vizitë në dhomën e pritjes rrit rrezikun e përhapjes së tij”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.

Mbulimi me imunizim kundër fruthit prej vitesh mbetet nën nivelin e nevojshëm për krijimin e imunitetit kolektiv. Vetëm 62 për qind e fëmijëve kanë marrë dozën e parë të vaksinës MRP gjatë vitit të kaluar.

Shqetësim të veçantë paraqet edhe niveli i ulët i vaksinimit në disa komuna të Shkupit, ku çdo i treti fëmijë nuk është i imunizuar kundër fruthit.

Epidemi të fruthit tashmë janë shpallur edhe në vendet fqinje. Në Kosovë janë regjistruar afro 150 persona të infektuar, ndërsa Bullgaria ka raportuar mbi 500 raste.

Ndërkaq, para shtatë vitesh, epidemi e fruthit ishte shpallur edhe në Maqedoninë e Veriut, e cila përfundoi me mbi 2.000 persona të infektuar dhe katër viktima si pasojë e komplikimeve nga sëmundja.

artikuj të ndërlidhura