Shkup, 2 nëntor Zhurnal.mk – 2.400 pacientë vuajnë nga Alzheimeri dhe rreth 5.000 të tjerë nga Parkinsoni në Maqedoninë e Veriut, ndërsa për shkak të mungesës së trajtimeve në vend, shumë prej tyre detyrohen të kërkojnë trajtimin në Turqi.
Ministri i Shëndetësisë deklaroi se për herë të parë në vendin tonë do të realizohet “Stimulimit i thellë i trurit”, një metodë që në vendet e Evropës aplikohet prej 15 vitesh.
“Metoda e stimulimit të thellë të trurit (Deep Brain Stimulation) përdoret në botë prej shumë vitesh. Ne përgjithësisht dërgojmë pacientë në Turqi, megjithatë, kjo nuk është një zgjidhje sepse kërkohet kontakt i vazhdueshëm me personelin dhe këshillin mjekësor”, tha Sasho Klekovski-Ministër i Shëndetësisë.
Drejtori i Klinikës së Neurologjisë thotë se fondet për trajtimin e pacientëve janë të siguruara por për të realizuar këtë metodë trajtimi nevojitet personel mjekësor adekuat.
“Dua të them se fondet i kemi tashmë sepse ato paguhen prej spitaleve të huaja. Ne vetëm duhet të krijojmë ekipe, ekipe multidisiplinare, në mënyrë që të mund ta fillojmë këtë metodë edhe tek ne. Jam vërtet optimist se gjatë vitit të ardhshëm do të fillojmë me pacientin e parë”, theksoi Jovan Bozhinovksi-Drejtor i Neurologjisë.
Mungesa e terapive për pacientët me sëmundje neurologjike mbetet ende shumë e pranishme në vendin tonë. Një ndër problemet kryesore është mungesa e trajtimeve për sëmundjen e Alzheimerit, pasi këto terapi akoma nuk janë të disponueshme në Maqedoninë e Veriut.
