Kedhi: Hetim të plotë dhe të pavarur për helmimin e 68 qytetarëve në Vlorë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 11 nëntor, Zhurnal.mk – Partia Demokratike ka kërkuar transparencë për cilësinë e ujit të pijshëm në Vlorë, pas raportimit të 68 qytetarëve, mes tyre edhe fëmijë, që janë paraqitur në urgjencë me të vjella dhe diarre.

Në një deklaratë për mediet, nënkryetari i PD-së, Nikola Kedhi, tha se rastet janë përqendruar kryesisht në lagjet “28 Nëntori” dhe “29 Nëntori”, duke ngritur dyshime për një burim të përbashkët infeksioni.

Kedhi iu referua raportimeve për mungesë klori në dy mostra uji dhe dyshimeve për ndotje fekale në depozitën e Kopshtit nr. 10.

Ai kërkoi publikimin e analizave të plota dhe sqarimin e situatës nga institucionet përgjegjëse.

Ai theksoi se “Kontrolli i Lartë i Shtetit, që në vitin 2022, kishte paralajmëruar për probleme serioze në Ujësjellësin e Vlorës, dëmtime të rrjetit, lidhje jashtë kushteve teknike, sisteme monitorimi jashtë funksionit, mangësi në kontrollin e cilësisë dhe dozimin e klorit”.

“Partia Demokratike kërkon publikimin e menjëhershëm të analizave të plota të 22 pikave të rrjetit, regjistrave të matjes së klorit, analizave të depozitës së Kopshtit nr. 10, dokumenteve të dezinfektimit dhe ndërhyrjeve në tubacione, raportit epidemiologjik të ISHP-së dhe provave të zbatimit të rekomandimeve të KLSH-së”, tha Kedhi.

Ai u shpreh se PD kërkon gjithashtu transparencë për prokurimin dhe përdorimin e dezinfektantëve, për të cilët është shpallur një procedurë me fond limit mbi 10 milionë lekë.

“Kërkojmë hetim të plotë dhe të pavarur për përcaktimin e shkakut të kësaj ngjarjeje dhe përgjegjësive përkatëse, si dhe masa të menjëhershme për garantimin e sigurisë së furnizimit me ujë”, shtoi ai.

artikuj të ndërlidhura