Kërkesë e çuditshme nga Dimitrievski të pavarurit t’i kthejnë mandatet, duke harruar pavarësinë e tij nga LSDM!

Nga I.A
652 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 27 korrik, Zhurnal.mk – Në politikën vendore shpesh shfaqen paradokse, por pak prej tyre janë kaq të dukshme sa thirrja e fundit e Maksim Dimitrievskit. Kryetari i ZNAM-it kërkon që këshilltarët dhe deputetët që janë larguar nga partitë amë të kthejnë mandatet, duke u thirrur në “moralin politik” dhe “ndershmërinë ndaj votuesve”. Por kjo kërkesë vjen pikërisht nga një politikan që vetë e ndërtoi karrierën e tij duke u shkëputur nga partia që e solli në pushtet LSDM-ja. Kujtesa e qytetarëve nuk është aq e shkurtër sa do të dëshironin politikanët pavarësia e Dimitrievskit nga LSDM është ende e freskët, dhe sot ai po kërkon nga të tjerët ta bëjnë atë që vetë nuk e bëri kurrë, shkruan Zhurnal.

Dimitrievski po u bën thirrje të pavarurve ta bëjnë atë që nuk e ka bërë vetë

Gjatë panel diskutimit në Prilep, të organizuar nën moton “ZNAM evropian, për një të ardhme evropiane dhe një Maqedoni evropiane”, Dimitrievski deklaroi se këshilltarët dhe deputetët që largohen nga partia duhet t’i kthejnë mandatet, sepse ato janë fituar me votat e partisë.

Ai iu referua rastit të këshilltares së vetme të ZNAM-it në Këshillin e Komunës së Prilepit, e cila vendosi të veprojë si e pavarur, si dhe deputetit Mile Cekov, duke thënë se të dy e kanë fituar pozicionin falë besimit që qytetarët ia kanë dhënë ZNAM-it.

“Ajo duhet t’u japë mbështetësve të saj një përgjigje të sinqertë se përse e mori një vendim të tillë. Më e ndershmja do të ishte që jo vetëm ajo, por edhe deputeti Mile Cekov, ta kthenin mandatin te partia, sepse ai është fituar përmes saj. Megjithatë, ne nuk jemi të ngarkuar me këtë çështje”, deklaroi Dimitrievski.

Ai shtoi se karvani partiak ka për qëllim të dëgjojë qytetarët, kritikat dhe vlerësimet e tyre, për të rritur efikasitetin e partisë në qeveri.

Por këtu qëndron paradoksi se Dimitrievski po kërkon moral politik nga të tjerët, ndërkohë që vetë ka ndërtuar karrierën e tij duke vepruar pikërisht në mënyrën që sot e kritikon.

Si e filloi karrierën politike Dimitrievski? Rrugëtimi i tij dëshmon të kundërtën

Për të kuptuar kontradiktën, mjafton të rikujtojmë rrugëtimin politik të Maksim Dimitrievskit. Në vitin 2017 u zgjodh kryetar i Komunës së Kumanovës nën logon e LSDM-së.

Pas pakënaqësive të brendshme, i ktheu shpinën LSDM-së dhe garoi si i pavarur në vitin 2021, pra pa e kthyer mandatin e parë, pa u dorëhequr, pa u tërhequr nga posti që e fitoi me votat e partisë. Mandatin e tretë e fitoi në vitin 2025 sërish në krye të Kumanovës, por tashmë duke garuar me partinë e tij ZNAM.

Pra, Dimitrievski e ka ndërtuar profilin e tij politik duke kaluar nga partia në pavarësi dhe më pas në krijimin e një partie të re. Ai nuk e ka kthyer mandatin kur u largua nga LSDM-ja, nuk ka kërkuar votë të re legjitime, dhe nuk ka bërë atë që sot u kërkon të tjerëve.

Sigurisht, mandati i kryetarit të komunës, deputetit dhe këshilltarit nuk janë identikë në natyrë. Por në të gjitha rastet, legjitimiteti buron nga votuesit dhe nga logoja partiake që i ka mbështetur. Nëse parimi është “mandati i takon partisë”, atëherë Dimitrievski vetë do të duhej ta kishte zbatuar i pari.

Thirrja e Dimitrievskit për kthimin e mandateve është një shembull klasik i standardeve të dyfishta në politikë. Ai kërkon moral nga të tjerët, por nuk e aplikoi atë moral kur vetë u shkëput nga partia që e solli në pushtet.

Kujtojmë që, në politikë, kujtesa e qytetarëve nuk është aq e shkurtër sa mendojnë e mbase edhe dëshirojnë politikanët. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër