Prishtinë, 30 korrik, Zhurnal.mk – Këshilltarët komunalë të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë kanë ngritur pretendime për parregullsi të mundshme në proceset e legalizimit të objekteve në kryeqytet, duke kërkuar që rasti të trajtohet nga organet kompetente të drejtësisë.
Në një konferencë për media, këshilltarja komunale Berita Abazi dhe këshilltari Çlirim Gerbeshi kanë deklaruar se kanë pranuar një email sinjalizues, në të cilin, sipas tyre, gjenden komunikime që ngrenë dyshime për legalizime të jashtëligjshme dhe përmendje të shumave të mëdha të parave.
Sipas tyre, në këto komunikime përmenden kompani ndërtimi, objekte dhe çështje financiare, ndërsa kanë pretenduar se një nga personat e përfshirë në biseda është shefi i kabinetit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
“Jemi këtu para Prokurorisë Speciale. Këto janë pretendime serioze dhe është detyrë e institucioneve të drejtësisë që të verifikojnë nëse këto informacione janë të vërteta”, kanë deklaruar përfaqësuesit e LVV-së.
Ata kanë kërkuar që organet e drejtësisë të hetojnë rastin dhe të sqarojnë nëse ka pasur shkelje ligjore gjatë proceseve të legalizimit.
Telegrafi i ka shkruar Komunës së Prishtinës për të marrë një qëndrim lidhur me këto pretendime.
