Kina: Luftërat tarifore dhe tregtare nuk u shërbejnë interesave të asnjërës palë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Pekin, 27 nëntor, Zhurnal.mk – Komuniteti i biznesit kinez ka shprehur kundërshtim të fortë ndaj propozimit të ShBA-së për rritjen e tarifave doganore pas një hetimi sipas nenit 301, duke i kërkuar Uashingtonit të tërheqë këto masa, njoftoi të premten Këshilli Kinez për Nxitjen e Tregtisë Ndërkombëtare (CCPIT).

Të premten, Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë së ShBA-së (USTR) publikoi rezultatet e hetimit sipas nenit 301 mbi të ashtuquajturin “mbikapacitet strukturor” në industrinë prodhuese, duke propozuar vendosjen e tarifave shtesë ndaj importeve nga 14 ekonomi, përfshirë Kinën.

Në përgjigje të këtij njoftimi, një zëdhënës i CCPIT u shpreh se pretendimi për “mbikapacitetin” është i pabazuar, duke shtuar se komuniteti i biznesit kinez kundërshton përdorimin e tij nga ShBA-ja si pretekst për të ndërhyrë në marrëdhëniet normale ekonomike dhe tregtare Kinë-ShBA.

Zëdhënësi theksoi se vlerësimi i ofertës dhe kërkesës në një industri, duhet të marrë parasysh faktorë të shumtë, përfshirë kërkesën e tregut global, përparimin teknologjik dhe ciklet e investimeve. Ndërkohë, suficiti tregtar ndikohet nga një sërë faktorësh, si ndarja ndërkombëtare e punës, kërkesa e tregut dhe kushtet makroekonomike dhe nuk mund të shërbejë në vetvete si provë e mbikapacitetit strukturor.

“Luftërat tarifore dhe tregtare nuk u shërbejnë interesave të asnjërës palë”, tha zëdhënësi, duke paralajmëruar se rritja e gjerë e tarifave doganore do të shtonte kostot e furnizimit për ndërmarrjet amerikane në hallkat e mëtejshme të zinxhirit industrial, do të rëndonte barrën mbi konsumatorët dhe do të shkaktonte çrregullime në zinxhirët globalë industrialë dhe të furnizimit.

Komuniteti i biznesit kinez i bëri thirrje ShBA-së të tërheqë masat tarifore të propozuara dhe të zgjidhë çështjet përkatëse përmes konsultimeve me Kinën, mbi bazën e barazisë, respektit dhe përfitimit të ndërsjellë, për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe pozitiv të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare Kinë-ShBA.

artikuj të ndërlidhura