Pekin, 2 prill – Zhurnal.mk – Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi zhvilloi një bisedë telefonike të enjten me homologun e vet të Bahrejnit Abdullatif bin Rashid Al-Zayani, gjatë së cilës të dyja palët shkëmbyen mendime mbi tensionet në rajonin e Gjirit dhe bënë thirrje për përpjekje për të garantuar sigurinë në ngushticën e Hormuzit.
Zayani foli mbi zhvillimet e fundit rajonale dhe tha se vendet e Gjirit përballen me sfida serioze sigurie dhe me ndërprerjen e lundrimit në ngushticën e Hormuzit.
Ai shtoi se Bahrejni është i gatshëm të punojë nëpërmjet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për ta trajtuar këtë çështje dhe kërkon koordinim më të ngushtë me Kinën.
Ndërsa Wang vuri në dukje nga ana e tij që pala kineze kundërshton agresionin dhe mbështet paqen, duke shtuar se Kina dhe Pakistani kanë paraqitur së fundmi një propozim prej pesë pikash që synon rivendosjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajonin e Gjirit dhe në mbarë Lindjen e Mesme.
Propozimi përfshin thirrjen për t’u dhënë fund sulmeve ndaj civilëve e objektivave joushtarakë, dhe për të siguruar kalimin e sigurt nëpër ngushticën e Hormuzit.
Kryediplomati kinez tha në vijim se bashkësia ndërkombëtare mbështet gjerësisht një armëpushim, duke shtuar që veprimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së duhet të ndihmojnë në uljen e tensioneve e të promovojnë kthimin te dialogu, në vend që të mbështesin aktet e paligjshme të luftës. Si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit dhe një vend i përgjegjshëm, Kina është e gatshme të punojë me Bahrejnin për të ndihmuar në përfundimin e luftimeve, rivendosjen e paqes dhe mbrojtjen e interesave të ligjshëm të vendeve të Jugut Global, veçanërisht atyre më të vogla, shtoi Wang.
