Tiranë, 3 nëntor, Zhurnal.mk – Shqipëria është përballur me rreth 32 milionë tentativa për sulme kibernetike gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, ose mesatarisht 81 tentativa në minutë. Por, krahas kërcënimeve ndaj infrastrukturës digjitale, një sfidë gjithnjë e më e rëndësishme mbetet edhe dezinformimi, manipulimi i informacionit dhe përdorimi i përmbajtjeve të fabrikuara për të nxitur përçarje dhe për të cenuar besimin e qytetarëve tek institucionet demokratike.
Shifrat u bënë publike nga zëvendëskryeministrja Albana Koçiu gjatë konferencës kombëtare për sigurinë kibernetike, organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), me temë “Rritja e Rezistencës Kibernetike: Forcimi i Linjës së Parë të Mbrojtjes”.
Në aktivitet morën pjesë ambasadori i SHBA-së, Eric Wendt, i ngarkuari me punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian, André Rizzo, përfaqësues të institucioneve shtetërore, operatorë të infrastrukturave kritike, përfaqësues të sektorit privat dhe partnerë ndërkombëtarë.
Në fjalën e saj, Koçiu theksoi se siguria kibernetike nuk mund të shihet vetëm si mbrojtje e sistemeve kompjuterike, serverëve apo rrjeteve teknologjike, pasi ajo lidhet drejtpërdrejt me funksionimin e shtetit, sigurinë e qytetarëve dhe besimin e tyre te institucionet.
Duke iu referuar sulmit kibernetik të vitit 2022, të orkestruar nga Irani ndaj infrastrukturës digjitale shqiptare, zëvendëskryeministrja e cilësoi atë si një pikë kthese në mënyrën se si Shqipëria e trajton sigurinë kibernetike.
“Shqipëria e ka mësuar këtë në një mënyrë të vështirë. Në vitin 2022, sulmi kibernetik i orkestruar nga Irani ndaj infrastrukturës sonë digjitale na vendosi përballë një realiteti të ri. Ai na tregoi se një vend mund të goditet rëndë pa kaluar asnjë ushtar kufirin dhe se një sulm ndaj sistemeve digjitale mund të synojë të njëjtin rezultat si një sulm ndaj infrastrukturës fizike: të pengojë funksionimin e shtetit dhe të cenojë besimin e qytetarëve tek institucionet”, u shpreh Koçiu.
Sipas të dhënave të bëra publike prej saj, gjatë vitit 2025 u evidentuan 51 incidente kibernetike, ndërsa në periudhën janar-shtator 2026 janë regjistruar 25 incidente.
Megjithatë, përtej sulmeve ndaj sistemeve dhe infrastrukturës kritike, Koçiu vuri në dukje se hapësira digjitale është kthyer edhe në një terren ku zhvillohet një tjetër betejë, ajo për të vërtetën. Ajo u shpreh se videot e fabrikuara, manipulimi i informacionit, përmbajtjet mashtruese dhe përdorimi i algoritmeve mund të shfrytëzohen për të nxitur përçarje, për të krijuar konfuzion dhe për të mbjellë dyshime ndaj institucioneve demokratike.
Sipas saj, këto rreziqe duhen dalluar qartë nga ushtrimi i të drejtës së qytetarëve për protestë, e cila mbetet një element thelbësor i demokracisë.
“Një demokraci e fortë ka nevojë që qytetarët të dallojnë faktin nga manipulimi dhe të krijojnë bindjet e tyre mbi bazën e informacioneve të besueshme”, theksoi Koçiu.
Ajo u ndal edhe te ndikimi i inteligjencës artificiale, e cila, nga njëra anë, krijon mundësi të reja për identifikimin dhe parandalimin e sulmeve, por, nga ana tjetër, mund të përdoret për zhvillimin e kërcënimeve më të sofistikuara dhe më të vështira për t’u zbuluar.
“Fakti që sot jemi më të mbrojtur nuk do të thotë që jemi të paprekshëm. Sfida bëhet çdo ditë e më e ndërlikuar. Teknologjia po zhvillohet me një shpejtësi të paimagjinueshme. Inteligjenca artificiale na jep mundësi të jashtëzakonshme për të zbuluar sulmet, por ndërkohë po përdoret edhe për të sulmuar”, u shpreh ajo.
Në vijim, zëvendëskryeministrja theksoi se forcimi i sigurisë kibernetike kërkon jo vetëm investime në teknologji, por edhe zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, pasi efektiviteti i çdo sistemi mbrojtës varet edhe nga aftësitë e personelit që e administron dhe e mbron atë.
Në këtë kuadër, ajo bëri të ditur se vetëm gjatë vitit të kaluar operatorët e infrastrukturave kritike kanë investuar mbi 28 milionë euro për sigurinë kibernetike.
Koçiu rikujtoi gjithashtu hapat e ndërmarrë në nivel ligjor dhe institucional, përfshirë miratimin në vitin 2024 të ligjit të ri për sigurinë kibernetike dhe Strategjisë Kombëtare, si dhe procesin e përafrimit të kuadrit ligjor dhe institucioneve shqiptare me standardet e Bashkimit Evropian.
Sipas saj, sfida tashmë nuk kufizohet vetëm te mbrojtja e infrastrukturës digjitale, por përfshin edhe ruajtjen e integritetit të informacionit dhe besimit publik, si elemente thelbësore për qëndrueshmërinë e institucioneve dhe funksionimin e demokracisë.
