Tiranë, 30 shtator, Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu u shpreh sot se mbi 1 700 biznese kanë shprehur interes për programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, ndërsa 800 prej tyre janë në proces trajtimi.
Përmes një videomesazhi, zv.kryeministrja paraqiti ecurinë e programit i cili u krijon ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme mundësi financimi për të zgjeruar aktivitetin, për të blerë pajisje dhe për të rritur kapacitetet prodhuese.
“Vetëm në dhjetë ditët e para nga lançimi i platformës, nëpërmjet portalit e-Albania janë regjistruar 241 aplikime. Aktualisht, 222 raste po shqyrtohen nga bankat e nivelit të dytë dhe 20 biznese kanë marrë miratimin për financim me kredi”, tha Koçiu.
“Shumë biznese kanë idetë dhe vullnetin për të bërë hapin tjetër, por përballen me vështirësi në sigurimin e financimit. Përmes këtij programi duam t’u japim mundësinë të investojnë, të rriten dhe të krijojnë vende të reja pune”, vuri në dukje ajo.
Po ashtu, Koçiu bëri të ditur se për programin është vënë në dispozicion një linjë financimi prej 250 milionë eurosh, me mundësi zgjerimi deri në 1 miliard euro.
“Sipërmarrjet mund të përfitojnë financim deri në 2 milionë euro, me normë interesi preferenciale 2–3% dhe mbulim nga Garancia Sovrane deri në 70%, sipas kushteve të aplikimit dhe vlerësimit nga bankat”, theksoi ajo.
Koçiu u shpreh se “interesi i sipërmarrësve tregon se bizneset shqiptare duan të investojnë dhe të ecin përpara”.
“Çdo investim i realizuar është një mundësi për rritjen e biznesit, për vende të reja pune dhe për më shumë të ardhura për familjet shqiptare”, tha Koçiu.
