Kodi Penal në RMV do të ndryshohet me procedurë të shpejtë, por dënimet e larta nuk do të rikthehen

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 nëntor, Zhurnal.mk – Derisa pritet miratimi “historik” i Kodit të ri të plotë Penal, i cili duhet t’i rikthejë dënimet e larta për funksionarët, deputetët e shumicës qeveritare propozojnë ndryshime të reja të përshpejtuara në Kodin Penal aktual. Në to nuk parashikohen korrigjime të nenit famëkeq 353, e as të neneve që parashikojnë dënime më të larta për funksionarët, por propozohen ndryshime në pjesën që ka të bëjë me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, shkruan Slloboden Peçat, transmeton Zhurnal.

Propozues të ndryshimeve, të cilat duhet të miratohen me procedurë të shkurtuar, janë deputetët e VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, Lupço Prenxhov dhe Bojan Stojanovski, deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, si dhe deputetja Vesna Bendevska nga ZNAM.

Deputeti Milloshoski, në një deklaratë për “Slloboden Peçat”, thotë se ndryshimet e propozuara nuk kanë asnjë prapavijë, se ato i ka prezantuar në një koordinim me grupet parlamentare në Kuvend dhe se nevoja për to është paraqitur pas vërejtjeve të Manivalit, organ ekspert i Këshillit të Evropës, i cili vlerëson përputhshmërinë e shteteve me standardet ndërkombëtare për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Në raportin e vitit 2023, Manivali kishte konstatuar se legjislacioni i Maqedonisë i përmbush vetëm pjesërisht ose në masë të madhe rekomandimet e FATF-së (Grupi i Posaçëm i Veprimit Financiar), i cili përcakton standardet globale për parandalimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë.

“Qëllimi i miratimit të këtij ligji është mënjanimi i dobësive në dispozitat ekzistuese dhe veprimi në përputhje me Raportin e vlerësimit të sistemit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, të miratuar nga Komiteti Manival në vitin 2023, me qëllim harmonizimin me rekomandimet e FATF-së. Propozim-ligji bazohet në të njëjtat parime mbi të cilat bazohet Kodi Penal. Zbatimi i këtij ligji nuk ka implikime financiare dhe për miratimin e tij nuk nevojiten mjete shtesë financiare nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për më tepër, pritet rritje e të hyrave në Buxhet përmes zbatimit të institutit juridiko-penal të konfiskimit.

Sigurimi i një shkalle më të lartë të harmonizimit me rekomandimet e FATF-së ndikon pozitivisht në procesin e integrimit evropian, si dhe në sigurimin e vazhdueshëm të kushteve për pjesëmarrjen e sistemit financiar të vendit tonë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro – SEPA”, thuhet në arsyetimin e ndryshimeve të propozuara.

Rekomandimi ishte që këto ndryshime të miratoheshin në mesin e nëntorit, ndërsa duke pasur parasysh se parashikohet që Kodi i ri i plotë Penal të miratohet vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2027, deputetët kanë vlerësuar se këto ndryshime duhet të miratohen më shpejt.

Milloshoski thotë se për ndryshimet e propozuara janë njoftuar Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave dhe Policia Financiare. Nga Ministria e Drejtësisë, ndërkaq, thonë se janë të përqendruar te Kodi i ri Penal.

“Kodi Penal është në fazën përfundimtare të përgatitjes dhe po përmbyllet harmonizimi i tij me standardet dhe direktivat më të fundit evropiane, pas së cilës do t’i dërgohet Komisionit Evropian për mendim”, u përgjigjën shkurt nga Ministria.

Edhe pse pushteti i ri, i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, tashmë prej dy vitesh premton se do t’i korrigjojë ndryshimet skandaloze të miratuara nga rivalët e tyre politikë, LSDM-ja dhe BDI-ja, Kodi i ri prej vitesh mbetet vetëm në paralajmërime. Ndërkohë, u miratuan ndryshime të shpejta, të cilat pushteti i paraqiti si rikthim të dënimeve për funksionarët. Megjithatë, nenet e ndryshuara jo vetëm që nuk i rikthyen dënimet e larta për funksionarët, pas dëmit të madh të shkaktuar nga ndryshimet kontroverse në Kodin Penal, por ekspertët i interpretuan këto ndryshime edhe si më të këqija.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër