Tiranë, 20 nëntor, Zhurnal.mk – Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike miratoi nen për nen dhe në tërësi projektbuxhetin e vitit 2027, si dhe ndryshimet në pesë ligje që përbëjnë paketën fiskale.
Mbledhja u zhvillua nën drejtimin e kryetarit Ulsi Manja, ndërsa gjatë shqyrtimit u miratuan edhe kërkesa për fonde shtesë dhe shtim të numrit të punonjësve në disa institucione.
Për Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) u miratua një fond shtesë prej 459 milionë lekësh, përtej fondit prej 6,7 miliardë lekësh të parashikuar në projektbuxhet. Nga kjo shumë, 80 milionë lekë janë për shpenzime personeli, për shtimin e 95 punonjësve në organikë, përfshirë 45 punonjës sigurie dhe 50 ndihmës sekretarë ligjorë.
Gjithashtu, janë parashikuar 209 milionë lekë për shpenzime operative, ku përfshihen 109 milionë lekë për angazhimin e 90 punonjësve me kontrata të përkohshme dhe 100 milionë lekë për shërbimet e sigurisë, postare dhe të qirasë.
Sipas relatores Aulona Bylykbashi, për Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë (ILD) u miratua një fond shtesë prej 125,5 milionë lekësh, ndërsa për Komisionin e Prokurimit Publik 40 milionë lekë.
Edhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) iu miratuan 34 milionë lekë shtesë për shpenzime operative, të cilat do të përdoren për marrjen me qira të magazinave gjatë vitit 2027 dhe garantimin e kushteve për ruajtjen e administrimin e materialeve zgjedhore.
Gjatë mbledhjes, Manja kërkoi që kërkesat dhe amendamentet e miratuara të pasqyrohen në relacionet përfundimtare të projektligjeve. Për Prokurorinë e Përgjithshme nuk u miratua fond shtesë, por u pranua kërkesa për shtimin e numrit të punonjësve. Shtim të personelit parashikohet edhe për Ministrinë e Administratës Publike.
Përveç projektbuxhetit, Komisioni shqyrtoi dhe miratoi ndryshimet në pesë ligje që lidhen me paketën fiskale, përfshirë procedurat tatimore, taksat kombëtare, akcizat, tatimin mbi vlerën e shtuar dhe tatimin mbi të ardhurat.
Projektbuxheti dhe paketa fiskale vijojnë tashmë procedurat parlamentare për miratimin përfundimtar në Kuvend.

