Tiranë, 10 shtator, Zhurnal.mk – Shqipëria po shqyrton mundësinë për të ndërtuar në bregdet një terminal, ku gazi amerikan i lëngshëm (LNG) do të mbërrijë me anije, do të ruhet, do të kthehet në gaz dhe më pas do të dërgohet përmes gazsjellësve drejt vendeve të Ballkanit dhe Evropës Juglindore, me mundësi që një pjesë të furnizojë edhe Ukrainën, raportoi media amerikane “National Law Review” (NLR).
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, tha se terminali do t’i jepte rajonit më shumë mundësi për të përballuar periudhat e kërkesës së lartë për energji dhe ndërprerjet e mundshme të furnizimit.
Sipas tij, infrastruktura do të krijonte një rrugë të re dhe më të diversifikuar për furnizimin me energji, ndërsa Shqipëria mund të shërbejë si një pikë lidhëse mes Adriatikut dhe tregjeve të energjisë në rajon, përfshirë mundësinë e mbështetjes së Ukrainës.
Kompania amerikane “Argent LNG”, e cila po ndërton një terminal të madh për eksportin e gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Portin Fourchon, Luiziana, njoftoi sot se ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi (MoU) me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë.
Marrëveshja parashikon që të dyja palët të studiojnë dhe vlerësojnë së bashku mundësinë e ndërtimit të një terminali të madh në bregdetin shqiptar, ku LNG-ja do të ruhet dhe më pas do të kthehet nga gjendje e lëngshme në gaz, për t’u futur në rrjetin e gazsjellësve.
Për çfarë shërben terminali?
Terminali i propozuar, do të ketë kapacitet për të kthyer në gaz deri në rreth 5 milionë tonë LNG në vit, si dhe do të ketë hapësira të mëdha për ruajtjen e LNG-së.
Në mënyrë të thjeshtë, funksionimi do të ishte:
LNG-ja vjen me anije → ruhet në terminalin në Shqipëri → kthehet sëriSH në gaz → futet në gazsjellës → dërgohet drejt vendeve të rajonit.
Sipas palëve, qëllimi kryesor nuk është vetëm furnizimi i Shqipërisë, por krijimi i një rezerve dhe burimi shtesë gazi për vendet e rajonit.
Kjo do të ishte veçanërisht e rëndësishme, në periudhat kur kërkesa për energji rritet shumë, apo kur një burim furnizimi ndërpritet ose kur tregu i energjisë përballet me probleme.
Çfarë roli do të ketë Shqipëria?
Dokumenti e përcakton Shqipërinë kryesisht, si vendin pritës të terminalit dhe si një pikë hyrëse të gazit drejt tregjeve të rajonit, dhe jo si blerësin kryesor të LNG-së.
Kjo do të thotë se Shqipëria, do të ofronte territorin dhe infrastrukturën për terminalin, ndërsa gazi mund të vazhdonte më pas drejt vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Juglindore.
Njoftimi thekson gjithashtu se Shqipëria e siguron pjesën më të madhe të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme, ndaj projekti synon të shfrytëzojë kryesisht pozicionin gjeografik të Shqipërisë në Adriatik dhe rrjetin ekzistues dhe të planifikuar të gazit.
Si do të lidhet me rajonin?
Terminali pritet të lidhet me:
- TAP-in (Gazsjellësi Trans Adriatik), gazsjellësi që kalon nëpër Shqipëri;
- IAP-in (Gazsjellësi Jon-Adriatik), një gazsjellës i planifikuar për rajonin;
- korridorin e gazit Fier–Vlorë.
Kjo do të krijonte mundësinë që gazi i ardhur në bregdetin shqiptar, të ruhej në Shqipëri dhe më pas të dërgohej përmes gazsjellësve në disa vende të rajonit.
Një nga objektivat është që, ky gaz të vijë nga një burim që nuk është Rusia, duke i dhënë rajonit një alternativë tjetër furnizimi.
Si mund të ndihmohet Ukraina?
Projekti parashikon gjithashtu mundësinë që gazi i sjellë nga SHBA-ja në Shqipëri, të arrijë në Ukrainë përmes rrjetit rajonal të gazit.
Gazi amerikan mund të mbërrijë në Shqipëri dhe, përmes rrjetit të gazsjellësve të Ballkanit, të përdoret edhe për nevojat energjetike të Ukrainës.
“Argent LNG”
“Argent LNG” synon të sigurojë që terminali shqiptar, të jetë pjesë e një sistemi më të gjerë të furnizimit me LNG-në amerikane.
Kompania ka nënshkruar më parë, marrëveshje të ngjashme me “Naftogaz Group” të Ukrainës në korrik 2026 dhe me “Transgaz” të Rumanisë në gusht 2026.
Në këtë skemë, Shqipëria do të shërbente si pikë hyrëse e LNG-së amerikane në detin Adriatik dhe në rrjetin e Ballkanit Perëndimor.
Njoftimi e lidh projektin edhe me “Nismën e Tre Deteve”, ku Shqipëria është shtet anëtar.
Palët synojnë që terminali të pozicionohet si një nga projektet kryesore të kësaj nisme për sigurinë energjetike.
Si do të financohet?
Qeveria shqiptare dhe “Argent LNG” do të krijojnë një grup të përbashkët pune, i cili do të merret me: studimin nëse projekti është i realizueshëm; përcaktimin e vendit ku mund të ndërtohet terminali; mënyrën se si do të lidhet me gazsjellësit dhe gjetjen dhe strukturimin e financimit.
Në financim mund të përfshihen institucione amerikane si:
USTDA – Agjencia Amerikane për Tregtinë dhe Zhvillimin;
DFC – Korporata Amerikane e Financimit të Zhvillimit Ndërkombëtar;
EXIM Bank – Banka Amerikane e Eksport-Importit.
Afati i projektit do të lidhet me planin e “Argent LNG” për të dërguar ngarkesën e parë të LNG-së nga terminali i saj në Luiziana në vitin 2030.
Jonathan Bass i “Argent LNG”
Drejtori ekzekutiv i “Argent LNG”, Jonathan Bass, tha se Shqipëria mund të luajë për Evropën Juglindore, një rol që nuk lidhet vetëm me nevojat e saj të brendshme, por me furnizimin dhe sigurinë energjetike të vendeve fqinje.
Ai e cilësoi projektin, si një mundësi për të forcuar sigurinë energjetike të rajonit dhe për të mbështetur Ukrainën, në një periudhë kur energjia është përdorur si mjet presioni ndaj vendeve të rajonit.
