Më 01.11.2026, zyrtarë policorë nga Sektori për Punë të Brendshme në Shkup, përkatësisht Njësia për Punë të Brendshme – Karposh, pas informacioneve të marra paraprakisht se në një objekt hotelierik në territorin e komunës së Karposhit po u shërbehej alkool personave të mitur, kanë kryer kontroll në lokal.
Gjatë kontrollit, policia ka hasur persona të mitur në gjendje të dukshme të dehur.
Tetë persona janë shoqëruar në Stacionin Policor në Karposh. Pas testimit me alkooltest, te të tetë personat është konstatuar prani e alkoolit në organizëm.
Njëri nga personat e pranishëm në lokal është dërguar në Klinikën e Toksikologjisë në kuadër të Kompleksit të Klinikave „Nënë Tereza“, për t’i ofruar ndihmë mjekësore.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj personave përgjegjës do të parashtrohet kallëzim përkatës sipas nenit 204 të Kodit Penal, për veprën penale „Shërbimi i pijeve alkoolike personave të mitur“.
