Kotor, 1 nëntor Zhurnal.mk – Katër nxënës janë ndaluar nga policia në Kotor të Malit të Zi, pas një incidenti që nisi teksa ata po bënin simbolin e shqiponjës me duar në rrugët e qytetit.
Sipas informacionit të dhënë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:30, kur një shtetase e moshuar malazeze u ka kërkuar nxënësve, në gjuhën malazeze, të ndërprisnin këtë veprim. Nxënësit mësohet se nuk e kanë kuptuar kërkesën e saj dhe kanë vazhduar të bënin simbolin.
Më pas, e moshuara ka njoftuar policinë dhe ka paraqitur kallëzim, duke pretenduar se ishte kërcënuar prej tyre.
Policia e Kotorrit i ka shoqëruar katër nxënësit në ambientet e saj. Pas marrjes së deklaratës me shkrim të shtetases malazeze, autoritetet kanë vendosur ndalimin e tyre për kundërvajtjen e pretenduar të nxitjes së urrejtjes kombëtare.
Sipas informacionit të transmetuar nga autoritetet malazeze, paraqitja e nxënësve përpara gjykatës kompetente ishte parashikuar për mëngjesin e 1 nëntorit, në orën 07:45. Informacioni i dhënë nuk përmban detaje mbi rezultatin e seancës.
