Shkup, 28 tetor, Zhurnal.mk – Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e përvojave e praktikave të mira në fushën e administratës publike, në kuadër të konferencës ndërkombëtare “KosovaPAR 2026”, që po mbahet në Prishtinë, raporton Anadolu.
Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë marrëdhënie miqësore dhe të fqinjësisë së mirë të ndërtuara mbi respektin e ndërsjellë dhe aspiratat e përbashkëta evropiane.
Jagxhiu tha se të dy vendet kanë sfida të ngjashme dhe kanë prioritete të përbashkëta për ndërtimin e një administrate profesionale, efikase dhe të orientuar drejt qytetarëve.
“Përmes këtij memorandumi synojmë të forcojmë bashkëpunimin institucional dhe të shkëmbejmë përvoja dhe praktika të mira në disa fusha të rëndësishme përfshirë menaxhimin e burimeve njerëzore, zhvillimin profesional të nëpunësve publik, menaxhimin e performancës institucionale dhe modernizimin e sistemve për menaxhimin e burimeve njerëzore”, theksoi Jagxhiu.
Ai tha se memorandumi nuk do të kufizohet vetëm në shkëmbimin e përvojave midis dy vendeve por ai krijon mundësi edhe për shkëmbime midis ekspertëve, trajnimeve të përbashkëta, vizitave studimore dhe zgjidhjeve praktike për sfidat e përbashkëta.
Ministri i Administratës Publike të Maqedonisë së Veriut, Goran Minçev tha se është i sigurt se me këtë memorandum do të krijohet një bazë e mirë për aktivitete të ndryshme konkrete, një bashkëpunim më të ngushtë institucional dhe një investim në njerëz të cilët çdo ditë e mbajnë përgjegjësinë e funksionimit të administratës publike.
Minçev tha se mbi çdo institucion janë njerëzit dhe pikërisht kompetencat e tyre dhe profesionalizmi e bëjnë diferencën. “Duke ndarë përvojat, mësojmë nga njëri tjetri dhe zbatojmë praktiakt e mira, krijojmë mundësi të reja për institucione më të mira dhe për shërbime më të mira publike. Reformat nuk duhet të qëndrojnë vetëm në letër, qëllimi dhe vlera e tyre shihet edhe në ndryshimet që kemi bërë në përditshmëri në jetën e qytetarëve”, theksoi Minçev.
“KosovaPAR 2026” po mbahet këtë vit nën temën “Vlera Publike dhe e Mira e Përbashkët: Njerëzit, Besimi dhe Digjitalizimi”, e cila ka mbledhur përfaqësues institucionalë vendorë dhe ndërkombëtarë, ministra, ekspertë dhe partnerë zhvillimorë për të diskutuar mbi të ardhmen e administratës publike, besimin në institucione dhe rolin e digjitalizimit.
