Kosova fiton të drejtën për parafinancim mbi 60 ml € nga Plani i Rritjes

Nga D. V.
831 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Pas miratimit të marrëveshjeve të domosdoshme në Kuvend për Planin e Rritjes, Kosova ka të drejtë të marrë mjetet e parafinancimit, kanë konfirmuar zyrtarët e Komisionit Evropian.

Në këtë institucion u konfirmua se Kosova tashmë ka bërë kërkesën për lirimin e parafinancimit deri në 7 për qind të shumës totale të parashikuar në kuadër të këtij instrumenti.

“Tani që marrëveshjet e lidhura me Instrumentin e Reformës dhe Rritjes janë ratifikuar, Kosova ka të drejtë të marrë parafinancimin. Sapo këto ligje të shpallen zyrtarisht dhe t’i komunikohen Komisionit, dhe me kusht që të përmbushen kushtet e përgjithshme, mund të bëhet lirimi i fondeve në kuadër të Planit të Rritjes”, ka thënë një zëdhënës i Komisionit Evropian.

Kosova nga Plani i Ri i Rritjes përfiton rreth 880 milionë euro. Mjetet e parafinancimit, për të cilat Kosova ka të drejtë t’i marrë menjëherë, janë në shumë prej mbi 60 milionë eurosh.

Parakushtet që vendi duhet t’i përmbushë tutje për marrjen e mjeteve financiare nga Plani Evropian i Rritjes, krahas reformave të nevojshme, përfshijnë stabilitetin makroekonomik, menaxhimin e shëndoshë të financave publike, transparencën dhe mbikëqyrjen e buxhetit, mbrojtjen dhe respektimin e mekanizmave demokratikë, si dhe angazhimin konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Siç u shpjegua jozyrtarisht, shuma e parafinancimit në vlerë prej 7 për qind të vlerës totale është në dispozicion për secilin vend përfitues. Pagesat e tjera bëhen pasi të vlerësohen kushtet e përgjithshme dhe kjo vlen për secilën pagesë të bërë. Procedurë e njëjtë vlen për secilin vend përfitues të rajonit./RTK

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër